Rjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka nënshkruar një kontratë me organizatën anëtare Mitrovica Women Association for Human Rights (MWAHR) e cila do të punojë në një nismë të re për angazhimin e burrave, grave, vajzave dhe djemve si partnerë të plotë dhe të barabartë në planifikimet, programimet dhe buxhetimet qeveritare në kuadër të projektit “Buxhetimi gjinor mjet transformues buxhetor për institucione komunale”.
Sipas MWAHR një buxhetim gjinor i planifikuar mirë konsideron nevojat dhe kërkesat e burrave, grave, vajzave dhe djemve dhe mundëson zhvillim, rritje dhe prosperitet ekonomik të një vendi.
Gjatë zbatimit të kësaj nisme MWAHR do punojë ngushtë me institucionet qeveritare, Kuvendin komunal të Mitrovicës se Jugut, OJQ, burra, gra, vajza, djem dhe media, duke mbajtur takime të shumta me këto grupe interesi ku do të përfshihen edhe grupet etnike minoritare dhe personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në Mitrovicën e Jugut. Më tutje MWAHR do të monitorojë punën e institucioneve të Qeverisë dhe Kuvendit komunal të Mitrovicës së Jugut dhe takimet e tyre rreth buxhetit komunal si dhe t’i informojë ata rreth nevojave, kërkesave dhe rekomandimet që kane qytetarët e kësaj komune rreth buxhetit.
Vetone Veliu, drejtore ekzekutive e MWAHR-së, theksoi rëndësinë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
“Përmes përkrahjes së RrGK-së e cila në çdo kohë është pranë grave dhe organizatave të grave do të angazhohemi në ngritjen e vetëdijes së grave, se sa është e rëndësishme pjesëmarrja e grave në procese vendimmarrëse dhe në takimet të cilat komuna i organizon. Do të avokojmë tek zyrtarët komunalë për rëndësinë e zbatimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor dhe të merren në konsideratë kërkesat dhe nevojat e grave gjatë hartimit të buxhetit vjetor, gjithnjë duke marrë parasysh prioritetet. Drejtoritë përkatëse të cilat do të monitorohen gjatë sesioneve informuese dotë kenë mundësinë të tregojnë transparencë për shpenzimin e parasë publike, por gjithashtu edhe zbatimin e barazisë gjinore”.
MWAHR si objektiva ka:
- Rritjen e pjesëmarrjes së grave në takimet “Dëgjimet publike” të cilat i organizon komuna për të marrë rekomandime për hartimin vjetor të buxhetit; dhe
- Rritjen e mundësisë për ta bërë qeverinë komunale të ndihet përgjegjëse për angazhimet e saj për barazi gjinore, si dhe rritjen e transparencës së institucioneve komunale në lidhje me buxhetin komunal, i cili duhet të adresojë nevojat e ndryshme të grave dhe burrave.
Kjo nismë është pjesë e aksionit të Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxhetimit Gjinor, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).