Për 11 muaj OJQ “Raba Voca” ndërgjegjësoi qindra persona për dhunën ndaj grave

Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës “Raba Voca” që nga prilli i 2022-tës e deri në shkurt të 2023-tës ka ndërgjegjësuar qindra persona për dhunën ndaj grave.

Kjo Qendër si përfituese e grantit nga raundi i 17-të i Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK) në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave” ka mundësuar që gratë dhe vajzat të kenë qasje dhe informacion rreth mekanizmave ligjorë shtetërorë nëpërmjet tele-këshillimit, si dhe të ndikojë në përmirësimin e zbatimit të kuadrit ligjor për dhunën në familje, duke përfshirë përgjegjësinë institucionale për të ndihmuar personat që kanë pësuar dhunë.

Kësisoj, gjithsej 106 gra dhe vajza kanë pasur qasje në një sërë shërbimesh online dhe fizike në strehimore, ndërsa 50 të tjera janë referuar në mënyrë efektive në institucionet përkatëse, duke përfshirë Qendrat për Punë Sociale në dhe komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

Për më tepër, pas përpjekjeve të synuara të avokimit, tri gra kanë siguruar me sukses mbështetjen e strehimit social nga Departamenti i Mirëqenies Sociale në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

këto arritje reflektojnë një përmirësim të dukshëm në ndërgjegjësimin dhe llogaridhënien institucionale në trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Ky transformim është realizuar nëpërmjet shpërndarjes së përmbledhjeve të politikave tek entet kyçe si policia, QPS-ja dhe zyrat bashkiake.

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.