Më 22 shtator, Qendra e Gruas “ATO” organizoi në shkollën fillore të fshatit Smrekonicë takim informues në kuadër të projektit “E drejta ime në Pronë”. Në këtë takim pjesëmarrës ishin përfaqësueset nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), juristja znj. Ermira Musliu Hyseni si dhe 15 gra përfituese të projektit.
Duke marrë për bazë raportin hulumtues të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime Ligjore ku thuhet se krahas ekzistimit të infrastrukturës ligjore, Kosova në kontekstin e të drejtave të grave për trashëgimi përballet me zbatim të dobët të ligjit për trashëgimi si dhe me vazhdimësinë e ekzistimit të ligjeve të pashkruara. Prandaj shumica e grave të anketuara, mendojnë se trashëgimia ndonëse e rregulluar me ligj, rregullohet sipas traditës dhe zakoneve në ndarjen e pasurisë. Edhe pse ligji në fuqi njeh barazinë e plotë në trashëgimi, praktikat juridike, tregojnë se gjatë shqyrtimit të trashëgimisë, sidomos kur gruaja është në statusin e fëmijës së trashëgim-lënësit, ajo në gjyq heq dorë nga e drejta e trashëgimisë së saj.
Sipas të dhënave të grumbulluara nëpër fshatra dhe gjatë analizave të bëra del në pah se gratë, sidomos ato në zonat rurale, nuk kanë informata mbi të drejtat e tyre lidhur me trashëgiminë. Andaj organizata Qendra e Gruas ATO ka ndërmarr iniciativa për të i informuar këo gra të cilat kanë qasje më pak në këto informata, lidhur me të drejtat e tyre në trashëgimi.
Pasi që numri i grave të cilat kanë regjistuar pronën deri më tani është tejet i ulët organizata mbajti takimin më qëllim të vetëdijesimit të grave për të regjistruar pronën duke i mundësuar vënien në kontakt me noterët si dhe duke i njoftuar me procedurat dhe hapat të cilat ato duhet t’i ndërmarrin për regjistrimin e pronave. Përveç faktit që jetojmë në një shoqëri patriarkale një arsye tjetër pse kemi një numër kaq të vogël të grave të cilat kanë pronë në emër të tyre është edhe heqja dorë me vetëdëshirë nga gratë për të poseduar pronë në emër të tyre.
Njëra nga të pranishmet theksoi se ajo kishte vendosur që tërë pasurinë të i’a lë vëllait të saj edhe përkundër faktit që vëllai i saj kishte hequr dorë nga trashëgimia prapë nuk e pranoj tërë pasurinë duke i ndarë madje edhe një pjesë më të madhe sesa që ajo kishte menduar. Mirëpo kemi shumë raste kur gratë për të mos i zbehur raportet me familjarët e tyre heqin dorë nga e drejta e cila ju takon, e drejtë e cila është e garantuar dhe me dispozita ligjore.
Në fund të takimit njëra nga gratë vendosi që menjëeherë të i filloj procedurat për regjistrimin e pronës dhe se do të kërkojë edhe nga gratë e tjera të veprojnë sikurse ajo.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).