Zhvendosja e prioriteteve të ndihmës dhe zvogëlimi i buxheteve kanë detyruar shumë donatorë në Kosovë që të mbyllin programet e tyre të granteve apo të zvogëlojnë fondet për organizatat joqeveritare (OJQ-të). Të tjerët kanë fonde në dispozicion, por kanë procedura të vështira për aplikim dhe/apo japin vetëm grante të konsiderueshme. Grupet e grave që kanë kufizime të burimeve njerëzore me orar të plotë dhe me shkathtësi të gjuhës angleze përballen me vështirësi në marrjen e fondeve për iniciativat e tyre të rëndësishme drejt barazisë gjinore dhe avacimin e të drejtave të grave.
Prandaj, RrGK në konsultim të ngushtë me anëtaret e saj e mbështetur nga Kvinna till Kvinna, vendosën të krijojnë Fondin e Grave të Kosovës në vitin 2012. Fondi ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht në mesin e grupeve nga vendet rurale dhe/apo grupeve të margjinalizuara.
Ky fond i veçantë po ashtu ofron mundësi për zhvillim të kapaciteteve për organizatat përfituese, por edhe për ato vetëm aplikuese; mbi shkrimin e granteve, menaxhimin e ciklit të projektit, dhe menaxhimin financiar, duke avancuar kapacitetet e tyre që në të ardhmen të aplikojnë për fonde nga donatorë të tjerë. Po ashtu, ofrohet ndihmë edhe për organizatat që synojnë fuqizimin e kapaciteteve avokuese.
Me sistemet dhe procedurat transparente, efikase, efektive dhe të vërtetuara të nëndhënies së granteve të FGK, që nga themelimi i FGK, RrGK ka administruar 197 grante (170 për nga një Organizatë Individual dhe 27 grante për Partneritet për Ndryshim) për 107 Organizata të Shoqërisë Civile (OSHC) nën udhëheqje të grave, në vlerë totale 1,011,387 €. Që nga dhjetori 2012, 21.028 gra dhe vajza nga zona të ndryshme, si dhe djem dhe burra, kanë përfituar direkt nga nismat e Organizatave të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Grave. Ndër këto, 3,909 gra morën pjesë në proceset e vendimmarrjes (disa për herë të parë), përfshirë gjatë 432 nismave të ndërmarra për avokim, përmes të cilave 30 politikat publike u ndryshuan për të mbështetur më mirë nevojat e grave dhe vajzave në Kosovë.
Klikoni KËTU për të shikuar aktivitetet e përfitueseve të granteve.
Fondi i Grave të Kosovës ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian, Agjencia Suedeze për Zhvillim, Agjencia Austriake për Zhvillim, UN Women dhe fondacioni Kvinna till Kvinna.
Si funksionon Fondi
Afati për dorëzimin e propozimeve publikohet në faqen e internetit të RrGK-së si dhe anëtaret njoftohen për këtë afat përmes e-mailit. Pas çdo thirrjeje për grante, Komisioni për Vlerësimin e Granteve, i cili zgjedhet nga anëtaret e RrGK-së, mblidhet për të bërë përzgjedhjen e përfituesve mbi kriteret e vendosura. Pas mbylljes së afatit për aplikim, procesi i shqyrtimit zgjat përafërsisht 30 ditë. Në rast se një projekt-propozim nuk përzgjidhet, atëherë Komisioni për Vlerësimin e Granteve jep komente për ta ndihmuar organizatën që të shkruajë propozime më të mira në të ardhmen. Një organizatë e cila nuk përzgjidhet herën e parë që aplikon, mund të aplikojë sërish në thirrjen e radhës, me aplikacion të rishikuar apo tërësisht të ri.
RrGK informon publikun për përfitueset e granteve përmes kumtesave për mediave si dhe përmes faqes së internetit.