Programet

Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) është që të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në tërë Kosovën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fetare, moshës, nivelit të edukimit, orientimit seksual dhe aftësive.

RrGK e ka vizion një Kosovë në të cilën gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Strategjia e RrGK-së përfshin gjashtë fusha programatike siç shpjegohen më poshtë. RrGK zbaton Strategjinë e saj në bashkëpunim të ngushtë me 140 organizatat e saj anëtare dhe partnerët.

Në Kosovë, vetëm 20% e grave janë të regjistruara si pjesëmarrëse aktive në tregun e punës, ndërkohë që kjo shifër për burrat është 65.7%.  Vetëm 13% e grave në moshë pune janë të punësuara (krahasuar me 47% të burrave). Dëshmi të gjëra tregojnë se vënia në dispozicion e kujdesit për fëmijë të përballueshëm ekonomikisht, do t’u mundësonte më shumë grave të hynin në tregun e punës (shiko “Edukimin”).

Ndërkohë përmirësimi i mjedisit të përshtatshëm për pjesëmarrjen e grave në ekonomi përfshin nevojën për vazhdimin e punës drejt rritjes së pronësisë së grave, pasi që aktualisht gratë zotërojnë vetëm 17% të pronave. Megjithëse RrGK ka mbështetur integrimin e përspektives gjinore në procesin e anëtarësimit në BE, mbështetja financiare e BE-së drejt përkrahjes së anëtarësimit të Kosovës në BE mund ta avancojë edhe më tutje integrimin e kësaj përspektive.

Strategjia e RrGk-së:

Qëllimi afatgjatë i këtij programi është: Gratë dhe burrat kanë mundësi të barabarta ekonomike në shtëpi dhe në sferën publike. Objektivat përfshijnë:

  • Përmirësimi i kushteve për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore.
  • Rritja e përqindjës së grave që kanë qasje në trashëgimi dhe pronësi.
  • Përmirësimi i perspektivës gjinore në reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE.