“Psikoterapeutet në Veprim” përmbyllin suksesshëm projektin nga FGK

     Organizata anëtare e RrGGK-së “Psikoterapeutet në Veprim”, në Gjilan, e udhëhequr nga Sevdije Musliu, organizoi sot tryezën përmbyllëse të projektit “Fuqizimi i grave viktima të dhunës seksuale dhe të torturës gjatë konfliktit në Kosovë, në regjionin e Gjilanit”.
     Në këtë tryezë vetëdijesuese mori pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e cila vazhdon të jetë shumë aktive në rrugëtimin për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Zonja Jahjaga iu drejtua të pranishmeve duke iu kërkuar që të jenë “të forta dhe shembull për të gjitha gratë që akoma ngurrojnë të flasin, sepse vetëm duke mos e heshtur këtë krim do të arrijmë drejtësi”.
     Drejtoresha ekzekutive e RrGGK, Igballe Rogova, në fjalën përshëndetëse tha: “Ndihem e nderuar që sot jam e rrethuar me gra të fuqishme si ju. Jemi bashkë, sepse vetëm bashkë arrijmë ti kalojmë stuhitë”.
     Psikoterapeutet në Veprim është përfituese në raundin e 10-të të granteve të Fondit të Grave të Kosovës, të mbështetur nga RrGGK, të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.