Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), së bashku me Austrian Development Agency (ADA) dhe Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë, me 19 nëntor 2015, mbajtën konferencë për shtyp. Kjo konferencë iu dedikua Fondit të Grave të Kosovës (FGK), respektivisht 14 organizatave përfituese të këtij raundi (i tetë) të FGK, i cili u mbështet financiarisht nga ADA (18,084.00 €) dhe Zyra e BE-së në Kosovë (31,651.50 €).
Konferencën e hapi Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, e cila shpjegoi historinë e Fondit si dhe arritjet e tij gjatë këtyre tre viteve.
“Me këto grante, FGK jo vetëm që iu ofron mundësi organizatave për zbatimin e iniciativave të tyre, por njëkohësisht iu ndihmon në ngritjen e kapaciteteve të tyre. Kjo mandej iu mundëson atyre të aplikojnë tek donator të tjerë.”
Christian Geosits, Udhëheqës i Zyrës së ADA në Kosovë shtoi se “Bazuar në bashkëpunimin që RrGGK e ka pasur me Kvinna till Kvinna (mbështetësi i parë i FGK), ne vendosëm të mbështesim këtë fond dhe sot ne ndihemi mirë që nëpërmjet RrGGK mund t’iu ofrojmë mbështetje organizatave të vogla. “
Ndërsa Libor Chlad, Zv. Shef i Sektorit për Bashkëpunim në Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se “RrGGK është një prej 18 organizatave të cilat ne i mbështesim dhe jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me RrGGK.”
14 organizatat anëtare të RrGGK-së, të cilat përfitojnë grante nga raundi i tetë i FGK janë:
- OJQ Legjenda & Qendra Për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” Gjilan, që do të ndërmarrin iniciativën: “Ngritja e pozitës së gruas në proceset e paqe-bërjes dhe Buxhetimi Gjinor”, me shumën 7,780.00 €. Duke u bazuar në praktikat e suksesshme të Komunës së Kamenicës me buxhetimin gjinor, këto dy organizata do të avokojnë tek komunat e tyre në Gjilan dhe Viti, për t’i zbatuar praktikat e njëjta.
- Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (SHEPF) & OJQ Gruaja Hyjnore, që do të ndërmarrin iniciativën “Një femër e edukuar – shoqëri e shëndosh”, me shumën 7,190.00 €. Bashkëpunimin e suksesshëm të cilin e kanë filluar më herët pikërisht nga përkrahja e FGK, kësaj here do ta vazhdojnë në tetë fshatra të komunës së Gjakovës dhe Gjilanit duke i vetëdijesuar vajzat dhe nënat e tyre mbi rëndësinë e shëndetit reproduktiv. Ato, gjithashtu do të avokojnë për hapjen e zyrës për këshilla të vajzave të reja.
- Partners Kosova & OJQ Aureola që do të ndërmarrin iniciativën “Avokimi i grave për të drejtat e tyre pronësore dhe ato të trashëgimisë”, me shumën 7,604.00 €. Këto dy organizata do të punojnë së bashku në informimin e grave dhe vajzave ngaVushtrria, Podujeva dhe Kastrioti për realizimin e të drejtave të tyre ligjore në pronë dhe trashëgimi. Ato, gjithashtu do t’iu ofrojnë ndihmë të vazhdueshme në regjistrimin e pasurisë ose trashëgimisë së tyre.
- Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) & Shoqata Femra Vizionare e Shekullit XXI që do të ndërmarrin iniciativën “Përmirësimi i pozitës së grave që përkujdesen për anëtarët me aftësi të kufizuara të familjes”, me shumën (7,827.50 €). Këto organizata do të punojnë në Prizren dhe në të gjitha fshatrat e Hasit, që të përmirësojnë qasjen në shërbimet që ofron komuna për personat me distrofi muskulare dhe familjarët tyre. Gjithashtu, ato do të angazhohen në ndërgjegjësimin e komuniteti urban dhe rural për pozitën e personave me distrofi muskulare.
- OJQ Shqiponjat e Dardanës & OJQ Dritarja që do të ndërmarrin iniciativën “Avokim për fuqizim të grave fermere në fshatrat e Lipjanit dhe Graçanicës”, me shumën 7,492.00 €. Qëllimi kryesor i këtyre dy organizatave është që t’i organizojnë gratë nga rrethina e Lipjanit dhe Graçanicës të avokojnë së bashku tek institucionet relevante në këto 2 komuna, që gratë fermere të krijojnë kushte më të favorshme për të përfituar nga subvencionet e shtetit të Kosovës.
- Shoqata “Nas Dom” që do të ndërmarrë Iniciativën “Përfshirja e planifikimit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor në nivel lokal”, me shumën 2,936.00 €. Kjo shoqatë do të punojë drejt krijimit të mekanizmave për integrimin e barazisë gjinore dhe buxhetimit gjinor në nivel lokal në katër fshatra me shumicë serbe.
- Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave që do të ndërmarrë iniciativën: “Vetëdijesimi i grave dhe vajzave për të drejtat e tyre në kujdesin shëndetësor” me shumën 2,988.00 €. Bazuar në sukseset e mëhershme në fuqizimin e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, kjo organizatë do të vazhdojë të avokojë që kjo kategori e grave të marrë shërbime më të mira shëndetësore nga institucionet shëndetësore në Drenas dhe rrethinë.
- OJQ Prehja që do të ndërmarrë iniciativën “Së bashku kundër dhunës ne familje”, me shumën 2,938.00 €. Kjo organizatë do të monitorojë seancat gjyqësore në institucionet relevante në Skenderaj dhe Mitrovicë, që kanë për shqyrtim rastet e dhunës në familje. Gjithashtu, ato do të avokojnë për zbatimin e mekanizmave parandalues të dhunës në familje, që dalin nga Strategjia Kombëtare kundër Dhunës në Familje dhe Trafikimit me Qenie Njerëzore (2013-2017)
- Qendra për Mirëqenien e Gruas që do të ndërmarrë iniciativën “Së bashku kundër dhunës në familje”, me shumën 2,980.00 €. Kjo qendër do të bëjë sensibilizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të profesorëve, drejtorëve të shkollave dhe zyrtarëve komunal në Pejë, për parandalimin dhe referimin e rasteve te dhunës. Ato, gjithashtu do të angazhohen në ngritjen e vetëdijes së nxënësve mbi pasojat e dhunës në baza gjinore.
Fondi i Grave të Kosovës i RrGGK-së, i themeluar në vitin 2012, ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht në mesin e grupeve nga vendet rurale dhe/apo grupeve të margjinalizuara. Deri më tani, FGK ka përkrahur 74 organizata anëtare të RrGGK-së, me një shumë totale prej 230,691.95 €, ku kanë përfituar rreth 6656 persona. Në vitin 2015, Fondi i Grave të Kosovës po mbështetet nga Austrian Development Agency dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.