Kwtw vit, Në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) për fuqizimin dhe mbrojtjen e të mbijetuarave të dhunës në baza gjinore, u realizua aktiviteti informues përmes vendosjes së posterëve në autobusët urban në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Trafikun Urban. Posterët përmbanin informata mbi ngacmimin seksual si dhe udhëzime se ku dhe si mund të raportohet dhuna dhe të kërkohet mbështetje, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.
Paralelisht me këtë aktivitet, RrGK së bashku me MMPHI organizoi një trajnim për ngritjen e kapaciteteve mbi dhunën me bazë gjinore për stafin e kësaj ministrie. Trajnimi u fokusua në thellimin e njohurive mbi format e dhunës me bazë gjinore, kornizën ligjore dhe institucionale në Kosovë, si dhe rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve publike në parandalim, referim dhe ofrimin e një përgjigjeje të ndjeshme ndaj viktimave. Vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit të ngacmimit seksual në hapësirat publike dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.
Gjatë periudhës së fushatës, RrGK mori pjesë gjithashtu në një sërë aktivitetesh dhe ngjarjesh të rëndësishme, përfshirë publikimin e katër politikave nga UN Women, takime me gra politike dhe aktiviste nga Finlanda, shënimin e 25-vjetorit të Institucionit të Avokatit të Popullit, finalizim të Standardeve Minimale të Cilësisë për shërbimet sociale për viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në Kosovë, iniciativën Youth 4 Inclusion, Equality & Trust (Y4IET), një tryezë mbi pronën dhe trashëgiminë, si dhe pjesëmarrjen në Human Rights Week. Po ashtu, RrGK mori pjesë edhe në lansimin e Udhëzuesit për Menaxhimin e Rasteve të dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore për stafin mjekësor.
