Problemi
Në Kosovë, gratë përballen me pengesa të mëdha në fuqizimin ekonomik për shkak të qasjes së kufizuar në punësim, pronë dhe vendimmarrje financiare, ndërsa normat kulturore e përforcojnë rolin e tyre si kujdestare dhe dekurajojnë pjesëmarrjen në tregun e punës. Vetëm 21.2% e grave janë aktive në tregun e punës, krahasuar me 55.9% të burrave, dhe burrat janë pronarë të shumicës dërrmuese të ndërmarrjeve. Praktikat diskriminuese të punësimit, mungesa e pushimit të lehonisë me pagesë dhe punësimi i përhapur informal i vendosin gratë në disavantazh. Pavarësisht mbrojtjes ligjore, gratë shpesh heqin dorë nga të drejtat e trashëgimisë, ndërsa mungesa e kujdesit të përballueshëm për fëmijë e kufizon më tej pavarësinë e tyre ekonomike.
Strategjia e RrGK-së
Përmirësimi i kushteve për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, me synim afatgjatë që gratë dhe burrat të kenë mundësi të barabarta ekonomike në familje dhe në sferën publike, i realizuar përmes:
- Rritjes së ndërgjegjes institucionale për përafrimin e legjislacionit të punës me standardet e BE-së dhe trajtimin e diskriminimit gjinor në vendin e punës;
- Përmirësimit të qasjes në drejtësi në rastet e diskriminimit në baza gjinore në punë;
- Nxitjes së strategjive të përgjegjshme gjinore për adresimin e ekonomisë informale;
- Avokimit për zgjerimin e shërbimeve të kujdesit, veçanërisht në zonat rurale;
- Rritjes së qasjes së grave në pronë dhe trashëgimi përmes ndihmës juridike dhe reformave;
- Forcimit të të kuptuarit të nevojave të grave rurale dhe të grave me aftësi të kufizuara nga zyrtarët;
- Informimit të donatorëve ndërkombëtarë për politikat ekonomike që janë të përgjegjshme ndaj gjinive.
Aktivitetet kryesore
- Vazhdimi i avokimit për reforma ligjore dhe politike, duke përfshirë ndryshimet në Ligjin e Punës, rritjen e disponueshmërisë së kujdesit për fëmijë dhe heqja e dispozitave që u lejojnë grave të heqin dorë nga të drejtat e trashëgimisë.
- Vazhdimi i promovomit të qasjes së përgjegjshme gjinore në subvencionet qeveritare, masat kundër informalitetit dhe shërbimet e kujdesit, duke siguruar parimin “mos bëj dëm”
- Vazhdimi i bashkëpunimit me Forumin Ekonomik të Grave për të avancuar avokimin e bazuar në dëshmi, të përafruar me Acquis të BE-së për Barazinë Gjinore;
- Vazhdimi i angazhimit me institucionet përmes takimeve dhe fushatave në rrjetet sociale, për të rritur ndërgjegjen mbi gjetjet e hulumtimeve dhe reformat e nevojshme.
- Vazhdimi i avokimit për përmirësimin e qasjes në drejtësi në rastet e diskriminimit gjinor në vendin e punës dhe për paga më të larta për asistentët/et personalë/e të personave me aftësi të kufizuara;
- Vazhdimi i ndikimit te institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët që të rrisin mbështetjen për organizatat e ndryshme të shoqërisë civile dhe që të adoptojnë politika të përgjegjshme gjinore, përmes përmbledhjeve të politikave dhe avokimit rajonal/ndërkombëtar.
Arritjet tona
- RrGK ndikoi në së paku 18 ligje dhe politika që lidhen me të drejtat e grave në punë dhe fuqizimin ekonomik, duke i përafruar ato më shumë me standardet e BE-së për barazi gjinore;
- Hulumtimet e RrGK-së, të tilla si “Nën hije” — kanë ndikuar drejtpërdrejt në strategjitë qeveritare dhe diskutimet ndërkombëtare, duke promovuar qasje të përgjegjshme gjinore për punën, informalitetin dhe sistemet e kujdesit.
- Në vitin 2024, RrGK udhëhoqi 8 iniciativa, duke avokuar për rritjen e qasjes në çerdhe, kujdes për fëmijë dhe kujdesin për të moshuar, veçanërisht në zonat rurale, duke ndikuar në diskutimet kombëtare dhe të BE-së.
- Si rezultat i mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), janë punësuar më shumë se 41 gra, kryesisht nga zonat rurale.
- RrGK mbështeti mbi 200 raste të shkeljeve të të drejtave në punë dhe informoi mbi 10,000 gra mbi të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi, ndërsa 335 gra morën mbështetje të drejtpërdrejtë për realizimin e këtyre të drejtave;
- RrGK rriti ndërgjegjësimin për rëndësinë e regjistrimit të pronës së grave. Si rezultat, 6,088 qytetarë në pesë komuna (3,150 gra dhe 2,938 burra) janë më të vetëdijshëm mbi rëndësinë e regjistrimit të pronës nga gratë, ndërsa 153 gra e kanë filluar procesin e regjistrimit të pronës së tyre;
- RrGK ka mbështetur afërsisht 30 grupe për të drejtat e grave që t’u ndihmojnë anëtareve të tyre të identifikojnë tregje të reja për produktet e tyre, duke rritur produktivitetin dhe rezultatet. Si rezultat, 223 gra janë trajnuar për të zhvilluar dhe menaxhuar biznese të suksesshme, dhe 125 gra kanë qasje më të mirë në tregje.