U krijua Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë

Që nga viti 2010, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka përkrahur aktivitetet e Grupeve Avokuese të Grave (GAG) nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. 
     Në takimin e tretë të GAG-ve “Gratë Avokojnë në Nivel Lokal dhe Qendror”, që u mbajt me 21-23 nëntor në Strugë, Maqedoni, 64 gra nga sfera e politikës dhe shoqërisë civile, nga 17 komuna të Kosovës themeluan Lobin për Barazi Gjinore në Kosovë, me deklaratë të nënshkruar nga të gjitha pjesëmarrëset. Krijimi i Lobit për Barazi Gjinore u hap rrugë edhe burrave dhe djemve të Kosovës të cilët përkrahin të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave, të kenë mundësinë të jenë pjesë e grupit.
     Përfaqësueset e GAG-ve raportuan për të arriturat e iniciativave të ndryshme avokuese nëpër komunat e tyre gjatë vitit 2014, duke përfshirë: fillimin e shkollimit jo formal për gra dhe vajza; punësimin dhe vetëpunësimin e grave; rritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave nëpër komitete komunale; përkrahja e grave fermere dhe atyre në biznes; sigurimi i aparateve mamografike dhe ofrimi i kontrolleve falas për kancerin e gjirit; financimi i strehimoreve dhe fillimi i programit të ri-integrimit në shoqëri për viktimat e dhunës. Ndër të tjerë, edhe RrGGK ka përkrahur këto iniciativa avokuese drejt përmbushjes së qëllimeve të tyre.  
      Më pas, pjesëmarrëset u ndanë në grupe sipas komunave për të diksutuar dhe identifikuar së bashku nga tre çështje për të cilat ato do të avokojnë gjatë vitit 2015. Disa prej iniciativave të planifikuara përfshijnë: sensibilizimin e grave që të ushtrojnë të drejtën e pjesëmarrjes në hartimin e politikave buxhetore; sigurimin e vizitave mjekësore të rregullta, falas; ndërtimi i çerdheve shtetërore dhe shtëpive të pleqve në ato komuna ku mungojnë; përkrahja ekonomike e grave në biznes; avancimi i pozitës së grave në vendimmarrje; avokimi, lobimi dhe monitorimi i zbatimit të planifikimit të buxhetimit gjinor; përkrahja e grave  fermere si dhe kyçja e tyre në agrikulturë.
     Igballe Rogova, Drejtore Egzekutive e RrGGK u prezantoi të pranishmeve Strategjinë e re të RrGGK 2015-2018, duke hapur pastaj edhe diskutimin rreth programit “Fuqizimi i grave në politikë dhe vendimmarrje” të strategjisë së RrGGK.
     “Strategjia e RrGGK-së përfshin në mënyrë mjaft te detajizuar dhe shumë të qartë punën e RrGGK-së në tre vitet e ardhshme,” u shpreh njëra nga pjesëmarrëset. “Kjo është një punë shumë e madhe dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër përveç t’iu përkrahim e të japim kontributin tonë.” 
     Më tutje, Nicole Farnsworth, Menaxhere Programi në RrGGK prezantoi temën “Institucionalizimi i buxhetit nga perspektiva gjinore”, duke iu ofruar pjesëmarrëseve teknika dhe shembuj specifik. Pjesëmarrëset morën kopje të Udhërrëfyesit Praktik të RrGGK lidhur me atë se si të bëhet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në nivel lokal (printimi u mundësua nga GIZ).
     “Prezantimi ishte shumë i nevojshëm, i qartë dhe do të na hyjë shumë në punë,” u shpreh njëra nga pjesëmarrëset. “Prandaj mendoj që patjetër i njëjti duhet të prezantohet edhe tek zyrtarët tjerë, nëpër komunat e Kosovës.”
     Ky takim u  përkrah nga Austrian Development Agency (ADA), me qëllim të fuqizimit të pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje.