Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, nën udhëheqjen e Presidentës së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, përkrahur nga Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe UNWOMEN, kanë mbajtur punëtori dy ditore në Tiranë. Kjo punëtori, e cila u mbajt me 15-17 janar 2015, mblodhi delegacionin nga Bosnja dhe Hercegovina, anëtarët e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe përfaqësues të tjerë.
Qëllimi i punëtorisë ishte shkëmbimi i përvojave mes Bosnjes dhe Hercegovinës dhe Kosovës lidhur me dhunën seksuale gjatë luftës., ku pjesëmarrësit shkëmbyen përvojat për reabilitim, riintegrimin dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Njohja e statutit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovine, ishte një ndër temat kryesore që u diskutua duke shkëmbyer përvojat e përbashkëta.
Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, anëtare e të cilit është edhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, me përkrahjen e UNWOMEN, OHCHR dhe Zyrës Ligjore në Zyren e Kryeministrit, ka filluar procesin e hartimit të akteve nën ligjore të domosdoshme për zbatimin e ligjit për statutin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre i cili është miratuar me 20 mars 2014. Ky ligj përfshin të mbijetuarit e dhunës dhe abuzimit seksual që kanë ndodhur gjatë luftës në vitet 1998-1999 në Kosovë, duke njohur gjendjen e tyre, në një përpjekje për të penguar stigmatizimin shoqëror dhe për të mundësuar kthimin e dinjitetit të tyre. Miratimi ka rezultuar si punë dyvjeçare e avokimit intenziv të ndërmarrë nga gratë, shoqëria civile dhe nga organet politike.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe organizatat anëtare të saj kanë ndihmuar këtë proces. RrGGK solli gjendjen e vështirë të personave që kanë vuajtur dhunën seksuale gjatë luftës në ballë të diskutimit publik me anë të një proteste të organizuar më 8 mars 2012, me moton: “Nuk duam lule, duam drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës,” protestë e cila ngriti vëmendjen e publikut dhe institucioneve për këtë çështje.