Mbi 1200 pjesëmarrës ndoqën fushatën “Unë Guxoj”

Me 20 nëntor, në teatrin e Gjilanit, u dha shfaqja “Unë Guxoj”. Gjilani është vendi i dhjetë që mirëpriti këtë shfaqje përfshirë: Dragashin, Rogovën, Lipjanin, Drenasin, Vitinë, Prizrenin, Kaçanikun, Hanin e Elezit dhe Deçanin. Kjo fushatë kishte për qëllim promovimin e kornizave ligjore të cilat i mbrojnë gratë dhe vajzat nga diskriminimi, dhuna në familje, ngacmimet seksuale, si dhe format e tjera të dhunës në baza gjinore.
     Sallat ku u dhanë shfaqjet në të gjitha komunat, për dy muaj me rradhë, aq sa edhe zgjati fushata (tetor dhe nëntor), ishin të mbushura me pjesëmarrës që ndoqën shfaqjen ku luajtën aktoret: Kumrie Hoxha, Makfire Miftari, Florentina Ademi, Safete Rogova dhe Molika Maxhuni, me skenar të Alba Loxha.
     Shfaqja “Unë Guxoj” përbëhet nga pesë monologje të ndryshme që trajtojnë pesë tema mjaft aktuale në Kosovë: personat ende të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë; dhunën në familje; ngacmimet seksuale në punë dhe të drejtën mbi trashëgiminë.
     Megjithëse drama, si e tërë, përshkruan realitetin e hidhur me të cilin përballen vajzat dhe gratë në jetën e tyre të përditshme, ku edhe aktoret përquan emocione të jashtëzakonshme në publik, fundi i saj është mjaft pozitiv dhe fuqizues. Të gjitha tregimet personale të përmendura, i nxisin vajzat dhe gratë që t’i njohin të drejtat e tyre dhe të përdorin ligjin në rast se përballen me ndonjë shkelje të të drejtave të tyre.
    Përmes këtyre tregimeve, pjesëtarët e audiencës kanë mësuar më shumë për ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, të tilla si: Ligji Kundër Diskriminimit, Ligji për Barazinë Gjinore, Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, dhe Ligji për Trashëgiminë.
     RrGGK falenderon Ambasadën Holandeze në Kosovë e cila bëri të mundur realizimin e kësaj fushate.