Numri i grave në pozita vendimmarrëse në institucionet e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht i ulët, sidomos në vendet në veri të Kosovës, ku pothuajse të gjitha komunat janë të udhëhequra nga burrat.
Andaj Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (MWAHR) ndërrmori iniciativën “Unë e meritoj një pozitë udhëheqëse” dhe punoi me gratë asambleiste nga rajoni i Mitrovicës Veriore, respektivisht nga komunat: Mitrovica Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Aktiviteti i parë që ato ndërmorën rreth fuqizimit të këtyre grave në proceset e vendimmarrjes ishte trajnimi i 12 grave asamblesite nga këto katër komuna për Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” (2000). Znj Ksenija Bozovic, i shpjegoi mekanizmat e kësaj rezolute si dhe u mundua që me këtë shembulli të rrisë kapacitet e grave asambleiste në udhëheqje, fuqizim politik, si dhe në funksionimin më të mirë të Zyrave për Barazi Gjinore.
Trajnimi i dytë që u mbajt me 30 Korrik, nga trajnerja Jelena Memet, dhe kishte për qëllim që t’i informojë gratë asambleiste dhe gratë e shoqërisë civile për metodat e avokimit dhe të folurit në publik. Pjesëmarrëset e vlerësuan trajnimin si shumë të suksesshëm dhe kërkuan që trajnime të tilla të organizohen për periudha më të gjata kohore.
Në kuadër të kësaj iniciative, MWAHR krijoi Grupet e Grave Asambleiste në katër komunat e përmendura, ku gratë asamblesite i krijuan strukturat e funksionimit të këtyre grupeve dhe emëruan kryetare të grupeve për secilën komunë. Mandej stafi i MWAHR-së avokoi tek strukturat e katër komunave për hapjen e zyrave për barazi gjinore.
“Njëri prej rezultateve më të mëdha dhe më të rëndësishme që dolën nga ky projekt është se MWAHR krijoi marrëdhënie shumë të mira me asambleistet, dhe ne e kemi derën e hapur tek ato. Institucionet qeveritare e mirëpritën punën dhe misionin shumë të mirë të MWAHR-së, si dhe kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim të mëtutjeshëm,” tha Vetone Veliu, Drejtore Ekzekutive e kësaj organizate.
Kjo iniciativë i mundësoi MWAHR-së që për herë të parë të bëjnë hulumtim për barazinë gjinore në institucionet lokale të këtyre katër komunave. Hulumtimi u bë me intervistimin e 67 asambleistëve gra dhe burra. Rekomandimet që dolën nga ky hulumtim janë:
- Përforcimi i rolit të OJQ-ve dhe mediave për të promovuar pjesëmarrjen e grave në proceset vendim-marrëse;
- Të punohet në drejtim të ndërgjegjësimit të subjekteve politike për barazi gjinore;
- Të punohet në mobilizimin e votuesve që të mbështesin pjesëmrrjen e grave në politikë, duke votuar për ato;
- Të pëforcohen Këshillet e Grupeve të Grave Asambleiste; dhe
- Të arrihet bashkëpunimi me asambleistët burra në komunat përkatëse, që të punohet së bashku me grupet e tjera të interesit për të siguruar hapësirën e nevojshme për pjesëmarrjen e grave në punën e Kuvendit, Bordit dhe Menaxhmentit.