RrGGK prezanton mekanizmin e ri për integrimin e perspektivës gjinore në legjislacion e Republikës së Kosovës

 Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) me 2 mars mbajti punëtorinë  “Avokimi i bazuar në të drejtat e njeriut”. Ky trajnim kishte për qëllim informimin e pjesëmarrëseve për ndikimin e tyre mbi krijimin e një legjislacioni sa më të përshtatshëm në aspektin e perspektivës gjinore, duke i’u ofruar mundësi atyre të njoftohen me të drejtat e njeriut në përgjithsi, të drejtat e grave në veçanti, kornizën ligjore dhe shërbimet ligjore për promovimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave. 
     Punëtoria u udhëhoq nga Ariana Qosaj – Mustafa, Drejtore e Programit dhe Hulumtuese e lartë në KIPRED dhe njëherit Kryetare e Bordit të RrGGK në baza vullnetare dhe Nicole Farnsworth Menaxhere e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimeve në RrGGK, ndërsa në këtë punëtori morën pjesë përfaqësuese të organizatave anëtare të RrGGK dhe anëtare të Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë. 
     Gjatë punëtorisë pjesëmarrëseve i’u prezantua  mekanizmi i ri (ligji@womensnetwork.org) të cilin RrGGK ka filluar ta aplikoj për shqyrtimin e draft ligjeve dhe dokumenteve të tjera të cilat do të dërgohen tek RrGGK nga Qeveria (ministritë, Zyra Ligjore e Kryeministrit etj.) ku pastaj stafi i RrGGK dërgon draftin tek anëtaret e RrGGK dhe të Lobit për komentim në “track changes”, përmes e-mailit ligji@womensnetwork.org
Pas shqyrtimit nga anëtaret e RrGGK dhe të Lobit ligji/dokumenti kthehet prapë mbrapa tek RrGGK për një shqyrtim të fundit nga asistentet ligjore të RrGGK-së dhe i kthehet institucionit përkatës, me të gjitha komentet e përmbledhura në një dokument të vetëm, duke u përmendur se kush ka kontribuar në komentim. 
   Më pas, gjatë punëtorisë, me një shembull praktik mbi dokumentin për “Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit” u shpjegua se si ato mund të integrojnë perspektivën gjinore në ligje dhe dokumente të rëndësishme bazuar në Ligjin për Barazinë Gjinore me anë të komenteve e vlerësimeve të nevojshme të cilat do të mundësojnë krijimin e kulturës së barazisë gjinore në legjislacion. 
Kjo punëtori u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.