Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka nënshkruar kontratat me 21 organizata anëtare, përfituese të 17 granteve, disa prej të cilave janë partneritete të këtij raundi (nëntë) të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), në vlerë prej 64,400 €. Këto projekte do të kontribuojnë në zbatimin e Strategjisë së RrGGK 2015-2018.Ky raund mbështetet financiarisht nga Austrian Development Agency (ADA) (23,451 €) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë (40,949 €).
Takimi u hap nga Drejtorja Ekzekutive e RrGGK, Igballe Rogova, i cila rikujtoi fillimin e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), ku “grantet e para kishin vlerën 500€, ndërsa sot grantet në partnerite arrijnë vlerën deri në 8,000€.” Ajo shpjegoi që ky Fond ka arritur të zgjerohet falë transparencës, projekteve të suksesshme të anëtareve të RrGGK dhe punës së palodhëshme të stafit.
Një nga anëtarët prezente tregoi për grantin e parë që kishte marrë në kuadër të FGK-së.
“Ishte raundi i parë i FGK-së, dhe granti që ne morrëm ishte 600€, mirëpo rëndësia e asaj iniciative kishte shumë më shumë vlerë sesa shuma e grantit.”
Pastaj Gentiana Murati Asistente e FGK, sqaroi detajisht të gjitha nenet e kontratës së granteve, duke u përgjigjur në të gjitha pytjet dhe paqartësitë që anëtaret patën lidhur me kontratën.
Ndërsa Donjeta Berisha, Koordinatore për Marëdhënie me Publikun, u shpjegoi pjesëmarrësve më shumë lidhur me pjesën e komunikimit dhe vizibilitetit të projekteve, e pastaj vazhdoi Dhurata Mustafa-Azemi, Koordinatore e FGK, me shpjegime lidhur me pjesën financiare të projekteve.
Ndërsa në fund të takimit, anëtaret përfituese nënshkruan kontratat për iniciativat e tyre të cilat do të fillojnë të zbatohen që nga fillimi i muajit maj e ato përfshijnë:
- OJQ Artpolis – Iniciativa: “FEMART – Festivali i artisteve për të drejtat e njeriut”; Komuna e Prishtinës (2,900.00 €)
- Qendra e Kosovës për Zhvillim dhe Integrim Mulbtikulturor (QKZhIM) – Iniciativa: “Fuqizimi ekonomik i të rinjëve (të diplomuarve) nga komunitetet jo-shumicë: Romë, Ashkali, Egjiptian në Komunën e Gjakovës me fokus femrat e këtyre komuniteteve"; Komuna e Gjakovës (2,980.00 €)
- OJQ Venera – Iniciativa: “Prona të takon me ligj, kërkoje se nuk është turp”; Komuna e Pejës (2,944.50 €)
- Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (MWAHR) – Iniciativa: “Gratë udhëheqëse”; Komuna e Mitrovicës Veriore (3,000.00 €)
- OJQ Dita – Iniciativa: “Promovimi i të drejtave të grave dhe fuqizimi i rolit të tyre në trashëgiminë pronësore”; Komuna e Gjilanit (2,968.00 €)
- OJQ Mbrojë të Drejtat Tua – Iniciativa: “Mbrojtja e viktimave të dhunës në familje”; Komuna e Deçanit (2,865.25 €)
- Fondacioni për Edukim dhe Zhvillim (FEZh) – Iniciativa: “Gjuhë të ndryshme, qëllimi i përbashkët”; Komuna e Shtërpces (2,855.00 €)
- OJQ Speranza – Iniciativa: “Edukimi dhe vetëdijësimi mbi dhunën në familje”; Komuna e Mitrovicës (2,929.00 €)
- Shoqata e Femrave të Shurdhëra (ShFSh) – Iniciativa: “Gruaja në shëndetësi”; Komuna e Prizrenit (2,966.00 €)
- OJQ Vita-Jeta – Iniciativa: “Osteoporoza te gratë e moshës postmenopauzale”; Komuna e Prishtinës (2,965.00 €)
- OJQ Dora-Dorës – Iniciativa: “Zhvillimi i politikave gjinore në Komunën e Mamushës”; Komuna e Mamushës (2,944.40 €)
- OJQ Gruaja Bashkëkohore – Iniciativa: “Jo vetëm numër’’; Komuna e Prizrenit(2,581.00 €)
- OJQ Education Code – Iniciativa: “Edhe gratë mund të gjenerojnë të hyra nga bujqësia”; Komuna e Prishtinës (2,999.00 €)
- OJQ Flaka & OJQ Parajsa jonë; Iniciativa: “E drejta e grave në trashëgimin e pronës”; Komuna e Lipjanit (6,911.00 €)
- Femrat Aktive të Gjakovës (FAGj) & Iniciativa për Integrim të Komuniteteve (IPIK); Iniciativa: “Fuqizimi i grave përmes rritjes së vetëdijësimit rreth të drejtave pronësore dhe trashëgimore në Komunën e Gjakovës dhe Dragashit”; Komuna e Gjakovës dhe Dragashit (6,650.00 €)
- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) & OJQ ATO; Iniciativa: “Fuqizimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve të grave në viset rurale në Komunën e Vushtrrisë”; Komuna e Vushtrrisë (6,990.00 €)
- OJQ Rikotta & OJQ Gora; Iniciativa: “Më shumë të drejta në pronësi”; Fshati Prevallac në Komunën e Prizrenit (5,952.00 €)