RrGGK lanson raportin hulumtues mbi Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

 Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ), dhe Analiza Gjinore janë dy obligime të reja ligjore për institucionet publike të Kosovës. Që nga viti 2014, RrGGK vazhdimisnht mbështetë organizata buxhetore në nivel lokal dhe qendror për ta institucionalizuar BPGJ-në, si dhe për të kryer analiza gjinore. Që nga viti 2015, RrGGK është duke mbështetur Ministrinë e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë në këtë proces. Me 6 Qershor, ky raport u lansua në një eveniment të hapur për publikun. 

Ky raport kishte dy qëllime kryesore:
  1. Të kryej analizën e parë të thellë gjinore të pothuajse të gjitha departamenteve, divizioneve, instituteve dhe Universiteteve që janë në kuadër të MAShT-it si organizatë buxhetore
  2. Të mbështesë MAShT-in në implementimin e obligimeve të reja ligjore që u janë transferuar përmes ligjit të ri për barazi gjinore: analiza gjinore, dhe buxhetimi i përgjegjshëm gjinor.
 
Gjatë fjalës së saj hyrëse, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, ju falenderua MAShT-it dhe Austrian Development Agency (ADA) për përkrahjen e tyre gjatë këtij procesi. Anila Statovci-Demaj, Zv/Ministre në MAShT, falenderoj RrGGK-në për ofrimin e mështetjes në këtë proces, duke shtuar që ministria e tyre ka një rëndësi të veçant për gjeneratat e ardhshme.  
Christian Geosits, Udhëheqës i zyres së ADA’së në Kosovë u shpreh që ai gëzohet shumë mbi faktin që RrGGK dhe MAShT-i, dy nga partnerët kryesorë të ADA’s, kanë bashkëpunuar mbi një temë kaq të rëndësishme. “Ky raport ka një rëndësi të veçant, pasi që BPGJ me të vërtetë është një koncept i ri jo vetëm në Kosovë, por edhe në Austri dhe BE”, shtoj Z. Geosits.
Pastaj, Donjeta Morina, një nga dy autoret e këtij raporti, ofroj disa nga të gjeturat kryesore, duke theksuar vazhdimisht se sa e rëndësishme është që MAShT-i të implementoj rekomandimet e RrGGK-së. Disa nga të gjeturat dhe rekomandimet e këtij raporti janë:
  • Edhe pse statistikat tregojnë se ka një pjesë të barabartë të djemve dhe vajzave me nevoja të veçanta. Të dhënat tregojnë se më shumë djem ndjekin arsimin special. Divizioni për arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, ZBGj-të, dhe zyrtarët shkollorë në nivelin komunal, mund të takohen në mënyrë proaktive me organizatat të cilat punojnë me personat me aftësi të kufizuara për t’i inkurajuar prindërit t’i regjistrojnë në shkolla fëmijët me nevoja të veçanta, duke u përqendruar kryesisht në informimin e prindërve, bija të të cilëve kanë nevoja të veçanta. Ky aktivitet nuk do të ketë kosto shtesë dhe zyrtarëve do t’iu marrë fare pak kohë.
  • Për shkak të normave shoqerore dhe stereotipeve gjinore, pagave më të ulëta, dhe përfshirjes së ulët në universitet në programet e edukimit, pak burra punojnë si mësimdhënës në institucione parashkollore. Kjo mungesë ekuilibri nënkupton që burrat nuk përfitojnë në mënyrë të barabartë nga fondet e alokuara për mësimdhënësit e këtij niveli..  Më tej, mungesa e modeleve mashkullorë përforcon stereotipat kulturore lidhur me punët tipike të burrave dhe të grave, dhe fëmijët e vegjël besojnë se profesionet e kujdesit janë të papërshtatshme për burrat, duke trashëguar kështu normat sociale dhe stereotipat nga njëri brez në tjetrin. Veprimet afirmative të parapara me LBGJ, do të mund të adresonin këtë problem:
  • Të bashkëpunohet me universitetet për të instaluar iniciativa për të rinjtë të cilët hyjnë në karrierë në fushën e edukimit të hershëm Kjo do të mund të përfshinte caktimin e bursave apo ofrimin e zbritjeve në tarifat e pagesës për të djemtë të cilët studiojnë për edukim, si një veprim afirmativ në drejtim të rritjes së përqindjes së djemve të përfshirë në këtë fushë. Nëse përdoren programet aktuale të bursave (subvencioneve), nuk do të ketë kosto shtesë. Përmes shkollave të mesme dhe këshillimit për karrierë, duhet të nxiten të rinjtë të studiojnë për edukim në universitet, me qëllim që ata të kualifikohen për t’u bërë mësimdhënës në institucione parashkollore.  Kjo nuk ka kosto.
  • Kosova ka një numër të pamjaftueshëm të institucioneve parashkollore të përballueshme ekonomikisht dhe qendrave për kujdesin ditor, për të plotësuar kërkesat në vend si dhe  kërkesat e Bashkimit Evropian (BE) të ilustruara në  Objektivat e Barcelonës.Kjo është cekë si problem edhe në Raportin e Progresit të vitit 2015. Ky është një faktor kryesor i cili kontribuon në pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës. Më tej, kjo ka rezultuar në mos-zbatimin e Ligjit për Edukimin Para-Shkollor; tarifa nuk përshtatet sipas pagës së prindërve, sikurse duhet të jetë sipas ligjit.
Për më shumë informata, ju lutem klikoni këtu për ta lexuar raportin e plotë.
 RrGGK mbetet me shpresë që MAShT do të merr rekomandimet me shumë seriozitet dhe do të integroj ato në draft buxhetin për vitin 2017.
Analiza dhe raporti janë mbështetur nga ADA.The Analysis was supported by Austrian Development Agency (ADA)