Për herë të parë këtë vit, Kosova po merr pjesë në lojërat olimpike 2016 që po mbahen në Rio de Janeiro në Brazil. Në të vërtetë ishte Mjalinda Kelmendi që bëri historinë në Kosovë, duke u bërë më e mira në botë kur fitoi medaljen e parë të artë të titullit për gratë xhudiste deri në 52kg.
Fillimisht si kampione e botës në xhudo, e tani kampione olimpike, Majlinda u vërtetoi të gjithëve edhe një herë që me punë dhe mund të madh mund të arrihet gjithçka. Mosnjohja e Republikës së Kosovës në garat që ajo merrte pjesë, dhe mos përkrahja nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës në asnjë lloj mënyre, e ka bërë shumë të vështirë punën e saj. Pavarësisht ofertave të shumta që ka marrë nga shtete të tjera, Majlinda asnjëherë nuk ndaloi ëndërrën e saj që një ditë të përfaqësoj Kosovën.
“Unë arrita të bëhem më e mira në botë dhe kisha vetëm trajnerin tim, asgjë më shumë”, u shpreh Majlinda menjëherë pasi që fitoi medaljen.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe e gjithë Kosova e përgëzojnë pafund Majlinda Kelmendin për arritjet e vazhdueshme të saj dhe shpresojmë që të arrijë të fuqizoj dhe të motivoj edhe vajza të tjera në Kosovë që t’i realizojnë ëndërrat e tyre. Gjithashtu, shpresojmë që përfaqësuesit e Republikës së Kosovës të marrin më seriozisht përkrahjen e sportistëve dhe artistëve sepse përkrahja e tillë jo vetëm që fuqizon dhe u jep mundësinë talenteve të sfidojnë veten por edhe i jep mundësinë Kosovës si një shtet i ri të zhvillohet më tutje në fushën e sportit dhe të artit.