Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti takimin e rregullt të anëtarëve të saj me 5 shtator, 2016. Gjatë këtij takimi, anëtaret e stafit të RrGGK-së prezantuan progresin e zbatimit të Strategjisë së RrGGK-së për 2015-2018. Më pas është mbajtur Sesioni Informativ për Fondin e Grave të Kosovës (FGK).
Fillmisht është biseduar për ndërtimin e kapaciteteve të anëtarëve të RrGGK-së. Asistentja e RrGGK-së për projektin e Fondit të Grave të Kosovës, Gentiana Murati, informoi anëtaret rreth fondeve që janë ndarë nga fillimi i strategjisë deri më tani.
Ajo tha se nga viti 2015 deri më tani janë dhënë 37 grante dhe numri i anëtareve që kanë marrë grante në total është 94, ndërsa numri i përfituesve që nga fillimi i strategjisë së përgjithshme është 9,138. Numri i grave pjesëmarrëse nga 2015 ishte 1,327 dhe shuma totale e shpërndarë nga janari deri në qershor të vitit 2016 ishte 64,400 euro. Totali i shpërndarë që nga viti 2012 është 295,092 euro. Ajo gjithashtu spjegoi ndryshimin e formës së granteve në dy lloje: a) nga 3000 euro në 4000 për organizata individuale dhe b) 8000 euro për organizata në partneritet.
Për programin e dytë të RrGGK-së, fuqizimi i grave në politikë dhe vendimmarrje, Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK-së Igballe Rogova tha se RrGGK ka mbështetur krijimin e 27 grupeve të Lobit për Barazi Gjinore me rreth 954 anëtare nga shoqëria civile dhe sfera politike, duke përfshirë edhe zyrtarët për Barazi Gjinore (ZBGJ-të).
Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programeve dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGGK vuri në dukje se këtë vit përpjekjet avokuese të RrGGK-së dhe anëtareve të saj kanë çuar në 14 ndryshime të politikave në nivel komunal dhe 7 ndryshime në nivel kombëtar. RrGGK ka mbështetur Zyrën e BE-së në Kosovë në krijimin e një strategjie për zbatimin e Planit të Veprimit Gjinor të BE-së në Kosovë dhe ka avokuar tek Ministria e Integrimit Evropian që të gjitha dokumentet në lidhje me pranimin në BE të kenë një perspektivë gjinore.
Gjithashtu pas konsultimeve me zyrtarë nga e tërë Kosova dhe me Agjencinë për Barazi Gjinore, RrGGK ka hartuar për Institutin e Kosovës për Administratë Publike tri planprograme (kurrikula) të reja për barazinë gjinore.
Në lidhje me programin e RrGGK-së për për qasjen e grave në kujdesin shëndetësor, RrGGK ka bashkëpunuar me Dartmouth College, Universitetin e Prishtinës dhe një grup vullnetarësh për të bërë anketa me 1,309 gra dhe burra në Kosovë, në realizimin e rreth 100 intervistave me mjekë dhe një analize ligjore. Raporti për momentin është duke u hartuar dhe do të shërbejë si bazë avokuese e RrGGK-së në lidhje me shëndetin e grave. RrGGK gjithashtu tani është anëtare e Koalicionit të Organizatave për Shëndetin Riprodhues dhe të Drejta të Shëndetit Riprodhues.
Poashtu, lidhur me këtë program, me financim nga FGK Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave ka mbështetur 62 gra për të marrë shërbime shëndetësore falas dhe 118 gra janë vetëdijësuar mbi të drejtat e tyre shëndetësore.
Në vazhdim, për programin e adresimit të dhunës në baza gjinore, Asistentja e Hulumtimit të RrGGK-së Adelina Berisha, tregoi se RrGGK në bashkëpunim me organizatën anëtare Girls Coding Kosova dhe Open Data Kosovo kanë lansuar aplikacionin “Ec Shlirë” për raportimin e rasteve të ngacmimit seksual. Deri më tani aplikacioni është shkarkuar 782 herë dhe janë raportuar 242 raste.
Më tutje, RrGGK ka trajnuar 100 zyrtarë të shërbimit korrektues dhe sprovues mbi dhunën në familje dhe ka punuar me organizatat e grave në rehabilitimin dhe ri-integrimin e kryesit të veprës. Përveç kësaj 650 burra dhe gra morën pjesë në organizime të ndryshme për dhunën në baza gjinore, ku RrGGK ka qenë e përfshirë në organizim apo ka ofruar mbështetje. Disa prej tyre janë: One Billion Rising, 8 Mars dhe festivali FemArt (i organizuar nga organizata anëtare Artpolis).
Lidhur me programin e RrGGK për fuqizimin ekonomik të grave, analistja Gjinore e RrGGK-së Iliriana Banjska foli për arritjet e RrGGK-së drejt buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. RrGGK ka avokuar në Ministrinë e Financave, e cila ka përfshirë referencë për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në Qarkoren Buxhetore 2017/01, përfshirë mostra të përgaditura nga RrGGK për institucionet. Pas trajnimeve dhe këshillimit të ofruar nga RrGGK, 94 zyrtarë janë më të informuar për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.
Në qershor të vitit 2016, RrGGK publikoi raportin “Buxhetimi drejt një Arsimimi më të Mirë”, për të kontribuar me analizë gjinore në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. RrGGK ka mbështetur Komunën e Hanit të Elezit për integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Këtë vit, Gjakova dhe Kamenica kanë vazhduar pa mbështetjen e RrGGK-së të bëjnë integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, gjë që tregon qëndrueshmërinë e tyre. Tani RrGGK është duke punuar me Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët kanë përfshirë shtojcat me të dhëna të ndara sipas gjinisë në buxhetin e tyre të parë të dorëzuar.
Pas prezantimit të arritjeve të RrGGK-së deri më tani këtë vit, Rogova diskutoi për kërkesën e UN Women drejtuar RrGGK-së për të ofruar grante individuale për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. RrGGK asnjëherë nuk ka ofruar grante individuale, por grante lidhur me ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e saj.
“Kemi sugjeruar tek UN Women për krijimin e një komisioni, ku gratë mund të aplikojnë përmes organizatave dhe pastaj komisioni vendos për ndarjen e fondeve”, tha Rogova.
Shumë anëtare thanë se RrGGK ka shoqata të cilat punojnë me këto çështje dhe që është shumë më mirë nëse këto grante shkojnë përmes shoqatave që punojnë me gra.
Rogova gjithashtu informoi anëtaret se UN Women ka publikuar një raport, por historia e vërtetë e punës që organizatat e grave kanë kryer për të ngritur çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe çështje të tjera nuk është përfshirë. Anëtaret diskutuan për të dërguar një letër në lidhje me këtë.
Përfaqësueset e organizatave anëtare të RrGGK-së gjithashtu shkëmbyen informata mbi aktivitetet e tyre. Hafije Qyqalla, Drejtore e organizatës "Arta" tha se kishte organizuar një festival të modës, nëpërmjet të cilit janë promovuar punimet artizanale të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, ku janë mbledhur 665 donacione.
Pas një pauze, lidhur me Fondin e Grave të Kosovës stafi i RrGGK-së shpjegoi se çfarë duhet të përmbajnë aplikacionet e projekteve të FGK dhe inkurajuan anëtaret të aplikojnë deri me 16 shtator, 2016.
Kjo ngjarje e rëndësishme e RrGGK-së është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.