RrGGK mbajti mbledhjen dymujore të anëtareve

     Me 6 shkurt 2017, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti mbledhjen e rregullt dymujore të anëtarëve të saj.
Strategjia dhe aktivitetet e RrGGK-së për vitin 2017, të dala nga Strategjia për vitet 2015-2018, e cila është hartuar dhe miratuar nga organizatat anëtare të Rrjetit, ishte tema kryesore për të cilën foli znj. Rogova, me ç’rast u shpreh se: “Rrjeti është i fuqishëm aq sa janë edhe anëtaret e saj. Prandaj, punohet shumë në mbështetjen e organizatave anëtare që ato të bëhen edhe më të fuqishme”. Deri në fund të vitit 2016, RrGGK-ja ka zbatuar përafërsisht 71% të strategjisë së saj. Gjatë vitit 2017, RrGGK do të zhvillojë më tej arritjet, duke avancuar drejt zbatimit të strategjisë.
     Në vazhdim znj. Rogova tregoi për publikimin zyrtar të broshurës së re Ndryshime te Vogla Grante të Mëdha, për të cilin u shpreh se: “arsyeja kryesore e botimit të kësaj broshure është transparenca, duke qenë se është shtylla kryesore e këtij Fondi, jo vetëm për donatorët por edhe për komunitetin”. Më tej ajo rikujtoi se më 2 shkurt, RrGGK ka publikuar raportin Qasja në Kujdesin Shëndetësor në Kosovë. Gjatë vitit 2017, RrGGK-ja do të bashkëpunoj ngushtë me Koalicionin e organizatave për shëndet dhe të drejta seksuale dhe riprodhuese – K10, me qëllim të zhvillimit të përpjekjeve avokuese lidhur me rekomandimet në këtë raport dhe për përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor cilësor në përgjithësi. RrGGK i është bashkangjitur këtij koalicioni gjatë vitit 2016.
     Adelina Berisha, Koordinatore për Avokim në RrGGK tregoi se mbi 70% e rekomandimeve nga raportet hulumtuese mbi dhunën në familje janë përfshirë në Strategjinë dhe Planin Kombëtar kundër Dhunës në Familje. Ajo gjithashtu informoi anëtaret se me 14 shkurt, nga ora 11:00 do të mbahet aktiviteti ‘1 Miliardë në Këmbë’, që sivjet po organizohet nga Artpolis, në bashkëpunim me disa organizata tjera, përfshirë edhe RrGGK-në. Motoja e këtij viti është “Ndal Shfrytëzimin e Grave”.
     Zahrije Podrimqaku, Zyrtare për Barazi Gjinore në Drenas, njohtoi anëtaret se sa i përket afatit të Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e pronës pa pagesë deri në muajin mars, kanë lobuar në Komunën e Drenasit që kjo mundësi të vazhdojë edhe më tutje për gratë kryefamiljare. Avokimi ka rezultuar i suksesshëm për gratë kryefamiljare. Megjithatë tash po avokohet në vazhdimësi që ky udhëzim të vazhdoj edhe për gratë tjera.
     Tutje, Znj. Rogova njohtoi anëtaret që pas një pune të gjatë dhe transparente është kompletuar komisioni për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Paneli intervistues ka zgjedhur që këtij komisioni, tashmë me pesë anëtarët ekzistues nga qeveria, ti shtohen të përzgjedhurit: një jurist, një psikiatër, një psikolog dhe një përfaqësues të shoqërisë civile.
     Më tej, Gentiana Murati, Kordinatore e Fondit të Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK-së njohtoi se gjatë muajit shkurt planifikohet të hapet raundi i 11-të i FGK-së, i përkrahur nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe vlera e përgjithshme e granteve të cilat do ndahen do jetë 55,000€. Për detaje rreth raundit të II-të do të shpallen me kohë të gjitha informatat e nevojshme.
     Në fund të mbledhjes, derisa sa po diskutohej nëse do të duhej që mbledhjet e anëtareve të mbahen edhe më shpesh, Luljeta Avdiq nga OJQ Dora Dorës komentoi se: “edhe pse informohemi rregullisht nga stafi i RrGGK-së, mbledhjet e anëtareve po na ndihmojnë shumë duke pas parasysh që efekti vizuel është i rëndësishëm. Këtu shfrytëzoj rastin sinqerisht ta përgëzoj dhe falenderoj stafin e Rrjetit për punën e palodhshme dhe përkrahjen e vazhdueshme që na ofrojnë”.
     Mbledhja e ardhshme e anëtareve të RrGGK do të mbahet gjatë muajit prill. Ky aktivitet është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.