Artpolis dhe QPDG përmes artit avokojnë për edukimin seksual

     Me 20 mars, anëtaret e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Artpolis në partneritet me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në kuadër të projektit “Njohja dhe promovimi i të drejtave të shëndetit riprodhues dhe edukimi seksual përmes artit dhe angazhimit të të rinjëve” organizuan një takim në Drenas. Në këtë takim morën pjesë disa nga nxënësit përfitues të këtij projekti, përfaqësues nga Drejtoria e Arsimit dhe Drejtoria e Shëndetësisë në Drenas, përfaqësuese nga të dy organizatat partnere dhe përfaqësuese nga RrGGK.
     Ngritja e vetëdijes tek nxënësit ka qenë shtytja kryesore për të realizuar këtë projekt. Agnesa Xheladini, kordinatore e projektit, është shprehur se kanë dashur që përmes artit nxënësit të avokojnë lidhur me edukimin seksual. Ajo gjithashtu ka theksuar se gjatë projektit janë mbajtur takime me nxënësit e dy shkollave, në Drenas dhe Prishtinë, pastaj janë shpërndarë broshura informuese për sëmundjen e HIV/AIDS-it si dhe përmes teatrit është mbajtur trajnimi lidhur me shëndetin riprodhues dhe edukimin seksual.
     Përfaqësuesja nga Drejtoria e Arsimit është shprehur që këtë vit është bërë gjithëpërfshirja e kurikulës dhe se është e obligueshme për të gjithë mesimdhënësit që të shpjegojnë gjithë literaturën që e kanë në planprogram. Ajo gjithashtu kërkoi që nxënësit të raportojnë nëse arsimtarët e kalojnë ndonjë teme, me ç’rast drejtori i shkollës duhet të marr masa, në të kundërtën reagon Drejtoria e Arsimit në Drenas. Ndërsa përfaqësuesja e Drejtorisë së Shendetësisë shtoi se temat lidhur me edukimin seksual shumë pak janë trajtuar nëpër shkolla për këtë arsye edhe nxënësit nuk kanë pas shumë njohuri.
     Temat lidhur me edukatën seksuale trajtohen me së shumti në lëndën e biologjisë dhe edukatës qytetare, por nxënësit u shprehen se shumë pak shpjegohen, madje edhe me komente të atilla nga arsimtarët se “këto tema nuk janë punë për ju”. Një problem tjetër se përse nuk trajtohen këto tema është se ende konsiderohen si tema tabu për familjen dhe rrethin. Si problem tjetër shihet edhe arsimtarët që tejkalojnë temat lidhur me edukatën seksuale.
     Nxënësit shprehën mirënjohje për këtë projekt duke u ndarë të kënaqur me gjitha njohuritë e përfituara. Njëri nga nxënësit tha se “tash besoj që jam më i lirë të diskutoj lidhur me edukatën seksuale edhe me familje e më gjerë, e pse jo edhe të jemi nismëtar për trajnime të rradhës”.
     Realizimi i këtij projekti të Artpolis dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave u mbështet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe u financua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.