Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë diskutoi strategjinë avokuese për vitin 2017

     Me 4 mars 2017, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në bashkëpunim me gratë nga Mitrovica, njëkohësisht nikoqiret e kësaj mbledhje, organizuan mbledhjen e Lobit për Barazi Gjinore (LBGJ) në Kosovë. Tema e kësaj mbledhje ishte “Strategjitë avokuese për vitin 2017”. Në këtë takim morrën pjesë 69 gra dhe vajza, duke përfshirë zyrtaret për barazi gjinore, asambleistet dhe përfaqësueset e organizatave anëtare të RrGGK-së nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe anëtaret e stafit të RrGGK-së.
     Vetone Veliu dhe Ajnishahe Haziri, anëtare të Lobit për Barazi Gjinore në Komunën e Mitrovicës në fjalën përshëndetëse hapen mbledhjen e Lobit duke falenderuar për mundësinë që të jenë nikoqire dhe duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrje. Ato ndër të tjera prezantuan edhe aktivitetet avokuese në Komunën e Mitrovicës duke theksuar bashkëpunimin e mirë mes Shoqatës të Grave të Mitrovicës, Zyrës për Barazi Gjinore dhe Grupit të Grave Asambleiste.
     Ky grup përpos aktiviteteve e iniciativave avokuese të shumta që kanë realizuar, si të arritura përmendën: avokimin për lirimin nga taksat komunale për gratë në biznes; komunikimin ndërfqinjësor për ndërtimin e paqes në Mitrovicën veriore; aktivitetet avokuese për zgjedhjet lokale të nëntorit; grumbullimin e mjeteve dhe kontributin financiar për blerjen e aparatit për mamografi; avokimin që rezultoi me sukses që tri vajza nga fshati Rashan të vazhdojnë shkollimin pa pagesë; avokime e trajnime me gra nga të cilat dy prej tyre përfituan grante; e shumë aktivitete tjera të suksesshme.
     Pas këtij prezantimi, znj. Remzije Nimani, deputete e parë nga Mitrovica në Parlamentin e Kosovës, përshëndeti të pranishmet duke uruar për punën e palodhshme për përmirësimin e pozitës së gruas, e në veçanti në proceset vendim-marrëse dhe të paqebërjes. Ndërsa, Safete Rogova, aktore dhe aktiviste për të drejtat e grave, përshëndeti gratë dhe vajzat duke recituar një poezi kushtuar gruas.
Pasdite, Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGGK-së, moderoi pjesën e dytë të mbledhjes ku u diskutua për aktivitetet nëpër komuna lidhur me strategjinë avokuese të LBGJ-së gjatë vitit 2017.
     Duke theksuar fuqinë që ka LBGJ për të arritur rezultate nga avokimet për ndryshime pozitive, Komuna e Pejës, Dragashit, Ferizajit, Prishtinës, Istogut, ndanë informata për iniciativat e ndryshme për të cilat kanë avokuar në muajt e fundit.
     Mbledhja e ardhshme e LBGJ pritet të organizohet në komunën e Dragashit.
     Mbledhja u mundësua me përkrahje financiare nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Austrian Development Agency (ADA).