Strategjia kundër Dhunës në Familje bazohet në hulumtimin dhe avokimin e RrGGK-së

     Me 19 prill 2017, Qeveria e Kosovës ka publikuar Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020. Strategjia mbështetet kryesisht në të dhënat dhe rekoamndimet e bëra nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK). Më shumë se 70% e rekomandimeve të raportit të fundit Mjaft më me arsyetime: Analizë e qëndrimeve, incidencës dhe reagimeve institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë (2015) janë përfshirë në Strategjinë Kombëtare, ndërsa në 13 raste të veçanta, RrGGK citohet drejtpërdrejtë.
     Me iniciativën e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, në atë kohë ish zëvendësministër i drejtësisë z. Lirak Çelaj, procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare filloi në nëntor të vitit 2015. I tërë procesi kishte mjaft pjesëmarrës, duke angazhuar institucione të ndryshme, organizata të shoqërisë civile dhe akterë të tjerë. RrGGK ishte anëtare aktive e grupit punues, duke përgatitur dhe paraqitur rekomandime për Strategjinë Kombëtare të bazuara në dëshmi, bazuar në hulumtimin e saj të vitit 2015.
     Gjatë publikimit zyrtar të Strategjisë së re Kombëtare, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia vërejti se "partneriteti midis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile ka çuar në një strategji të përmirësuar". Tutje, ajo theksoi nevojën për zbatimin e saj në nivel kombëtar dhe komunal.
     Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, poashtu kërkoi bashkëpunim në mes të minsitrive dhe agjencive të ndryshme, në implementimin e Strategjisë në mënyrë efektive. Ajo tha se vet ajo “i ka dhënë prioritet luftimit të këtij fenomeni negativ”.
     Zëvendëse Shefja e Minisionit të Shteteve të Bashkuara për Republikën e Kosovës, Collen Hyland: Koordinatori i ri Nacional kundër Dhunës në Familje Z. Munir Basha; si dhe Kryesuesja e Zyres së UN Women në Kosovë Flora Macula poashtu folën në këtë ngjarje promovuese. Në mesin e shumë palëve tjera të interesit, të pranishëm ishin edhe disa zyrtarë nga institucionet relevante.
     Angazhimet politike të bëra në lidhje me këtë Strategji Kombëtare kanë ardhur në një kohë mjaftë të përshtatshme, pasi mediat kohët e fundit kanë sugjeruar padrejtësi të mundshme brenda sistemit të drejtësisë dhe kanë mbuluar disa rastedhunës në familje. Kërkesa gjithnjë në rritje ekziston midis disa qytetarëve për të përmirësuar parandalimin e dhunës në familje, mbrojtje për viktimat dhe drejtësi për kryesit.
     Hulumtimi i bërë përmes anketimit të ekonomive familjare, si pjesë e hulumtimit të lartëpërmendur të RrGGK-së, ka gjetur se 62% e kosovarëve (68% gra dhe 56% burra) kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre. Dy herë më shumë gra (41%) për dallim nga burrat (20%) kanë raportuar të kenë përjetuar dhunë në familje në vitin 2014. Edhe pse situata është përmirësuar për dallim nga viti 2008, RrGGK ka gjetur ende disa mangësi në performancën e institucioneve të cilat kanë obligim ligjor në përkrahje të personave që kanë përjetuar dhunë në familje. Programet për rehabilitim dhe reintegrim vazhdojnë të mos financohen dhe janë të pamjaftueshme. Strategjia e re paraqet disa hapa të cilat mund të ndërmiren drejt adresimit të disa prej këtyre qështjeve.
     Kjo është hera e dytë që hulumtimi i RrGGK-së është përdorur për të informuar përmirësimet në kuadrin ligjor dhe mekanizmat që lidhen me adresimin e dhunës në familje. Hulumtimi i RrGGK-së i vitit 2008 Siguria Fillon në Shtëpi shqyrton kuadrin ligjor, ndërgjegjësimin për dhunën në familje dhe performancën e institucioneve relevante; informoi Ligjin për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Programin e Parë të Kosovës dhe Planin e Veprimit kundër Dhunës në Familje 2011-2014. Hulumtimi paraprak u krye për Agjencinë për Barazi Gjinore me mbështetjen e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.
     Që nga viti 2014, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) ka siguruar përkrahje afatgjatë të RrGGK-së, e cila ka mundësuar hulumtimin e RrGGK-së, iniciativat e vazhdueshme të avokimit dhe përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit në drejtim të trajtimit të dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore në Kosovë. Besimi dhe partneriteti i ADA-s i ka mundësuar RrGGK-së të reagojë ndaj çështjeve të paparashikuara dhe për të marrë një qasje të vazhdueshme dhe gjithpërfshirëse për trajtimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë.