Medica Kosova fuqizon gratë për subvencione komunale në bujqësi

  Me 25 prill, në Gjakovë, Medica Kosova organizoi tryezën përmbyllëse të projektit “Përkrahja e nënave vet-ushqyese të dëmtuara nga lufta për të ju qasur subvencioneve komunale në bujqësi”. Ky projekt ishte i mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe i financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA) ndërsa u implementua nga Medica Kosova në partneritet me organizatën e nënave vet-ushqyese “Djepi i Buzëqeshjes”. 

      Projekti kishte për qëllim që tu ofronte ndihmë grave në qasjen e subvencioneve përmes trajnimeve në analizën e programit të granteve dhe njohjen me procedurat dhe kriteret e aplikimit, përkrahjen për realizimin e së drejtës së tyre pronësore si dhe aftësimin e grave për qasjen në informata përmes faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale të Kuvendit Komunal në Gjakovë. Përmes këtij projekti përfituan 40 gra nga katër fshatra të Komunës së Gjakovës. Ndërkaq, rreth 24 gra përfituese të këtij projekti janë përgatitur për të aplikuar për motokultivatorë dhe fidane për arra dhe lajthi gjatë thirrjes së ardhshme për subvencione. 

Kryetarja e Komunës, znj. Mimoza Kusari-Lila dhe Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural z. Bekim Ermeni njoftuan për programin e subvencioneve me theks të veçantë për gratë e dëmtuara nga lufta në Komunën e Gjakovës dhe mundesitë e marrjes së granteve për mikro-biznese. 

     “Si Kryetare, përgjegjësia ime që nga fillimi ka qenë të mundohem të ul pabarazitë në shoqëri, të ofrojmë mundësi të barabarta por edhe të tregojmë se ka një vëmendje e sensibilizim të veçantë për ato gra që kanë nevojë për fuqizim ekonomik” u shpreh znj. Kusari – Lila në prani të përfaqësueseve të Zyrës për Barazi Gjinore, Zyrës për Komunitete, përfaqësueseve të shoqerisë civile dhe grave përfituese.

Ndonëse Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural bazuar në kalendarin e ofrimit të subvencioneve ka publikuar vetëm dy thirrje gjatë periudhës së zbatimit të këtij projekti, një nënë e re vet-ushqyese arriti të fitoje serën prej 2,5 ari përmes përkrahjes së ofruar në organizatë dhe përgatitjes teknike të dokumentacionit.

Medica Kosova beson që rezultatet e këtij projekti do të kenë ndikim pozitiv afatëgjatë në mirëqenien e këtyre grave. Ato janë të përkushtuara të vazhdojnë me përkrahje konkrete të këtyre grave në qasje të grateve dhe subvencioneve komunale me synimin për një zhvillim personal dhe profesional të grave fermere të dëmtuara nga lufta.

      Tutje, Medica Kosova dhe gratë përfituese të këtij projekti vlerësuan lartë Kryetaren e Komunës së Gjakovës dhe Drejtoratin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural që kanë integruar kriterin e përparësisë për gratë fermere në kuadër të kualitetit të njejtë të dokumentacionit të kërkuar për subvencione. Ato gjithashtu shprehën falenderime ndaj Fondit të Grave të Kosovës dhe Agjencionit Austriak për Zhvillim për mundësinë e zbatimit të kësaj iniciative të rëndësishme për gratë që mbajnë mbi supe përgjegjësinë e mirëqenies së familjeve të tyre.