Zgjatet Afati i Udhëzimit Administrativ për Regjistrimin e Pronës në Bashkëpronësi Falas

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) është në fazën përfundimatare të zbatimit të projektit “Shtëpia ime, e drejta ime” me mbështetjen e PPSE Swiss Contact, të cilin e ka filluar që nga muaji maj i vitit 2016.
Përqindja e regjistrimit dhe trashëgimit të pronës në emër të gruas mbetet ende e ulët, duke kufizuar qasjen e saj në burimet financiare dhe duke privuar fuqizimin ekonomik të gruas e cila krijon të mira të përbashkëta për të gjithë familjen.
     Qëllimi ka qenë që sa më shumë gra të realizojnë të drejtën e tyre në pronë, si personale ashtu edhe të përbashkët, që do të ndikonte në mirëqenien e vet gruas, fëmijëve dhe familjes në tërësi. Deri më tani, RrGGK ka ndihmuar mbi 130 raste për regjistrimin e pronës.
      Udhëzimi Administrativ i nxjerrë nga Agjencioni për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Agjencionin Kadastral të Kosovës u mundëson të gjithë qytetarëve të regjistrojnë pronën e paluajtshme në bashkëpronësi pa pagesa administrative. RrGGK në bashkëpunim me organizatat e saj anëtare dhe ABGJ-në, kanë avokuar tek institucionet përgjegjëse për amandamentimin e UA-së që zgjatë periudhën e UA-së nga një vit në dy. Fatmirësisht, në mbledhjen e Qeverisë me 6 prill ky amandamentim u aprovua.
     E drejta në pronë është e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe me ligjet në fuqi si: Ligji mbi Pronën, Ligji i Trashëgimisë, Ligji për Familjen, Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji kundër Diskriminimit.
Në mënyrë që të shfrytëzohet zgjatja e afatit të këtij Udhëzimi Administrativ, RrGGK inkurajon gratë dhe burrat që të fillojnë procedurat për regjistrimin e pronës në emër të të dy bashkëshortëve pa shpenzime administrative. E gjitha që duhet të bëni është të drejtoheni në Zyrën Komunale Kadastrale të Komunës ku jetoni ose nëse keni nevojë për ndihmë të na shkruani në regjistropronen@gmail.com.
 
Është pa pagesë!