RrGGK e mbështetur nga UN Women Kosovo përkrahë gratë e mbijetuara të dhunës seksuale

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka filluar zbatimin e projektit “Përkrahja e grave të mbijetuara të dhunës seksuale”, i cili mbështetet financiarisht nga UN Women Kosovo.
Zbatimi i këtij projekti të RrGGK-së do të arrihet përmes: granteve për katër organizata të të drejtave të grave të specializuara në punën me gratë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në vlerën totale prej 167,062.97€, të cilat pastaj do të japin mikro-grante për këto gra me qëllim të fuqizimit të tyre ekonomik, si dhe përkrahje psikologjike; avokim të përbashkët për të përfaqësuar më gjerësisht interesat e të mbijetuarave të dhunës seksuale tek zyrtarët qeveritarë dhe qytetarët; dhe koordinim të rregullt të akterëve kyç që punojnë në përkrahjen e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës.
Ky projekt do të kontribuojë në realizimin e vetë misionit të RrGGK-së që të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia. Projekti do të kontribuojë në realizimin e objektivave strategjike të RrGGK-së në Strategjjinë e saj për 2015-2018. 
Më tutje, kjo iniciativë do të kontribuojë në zbatimin e Projektit të UN Women mbi Drejtësinë Tranzicionale, i cili ka për qëllim të përgjithshëm që “Qeveria dhe Akterët e Sigurisë në Kosovë përkrahin zbatimin e planeve të aprovuara të veprimit 1325 dhe çasjes specifike për të mbijetuarat e dhunës seksuale.”
Me 20 mars 2014, Ligji mbi Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Personave të Dhunuar Gjatë Luftës, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjarët e tyre u amandamentua dhe u plotësua me qëllim që të njohë statusin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Momentalisht, institucionet e Kosovës janë në proces të funksionalizimit të Komisionit të pavarur që do të zbatojë kornizën ligjore ekzistuese për njohjen e të mbijetuarave dhe do të ofrojë përfitime të kufizuara për ato. Përderisa njohja ligjore është një përfitim i rëndësishëm për këto gra, përfitimet materiale të ofruara nën kornizën ligjore ekzistuese janë ende shumë të kufizuara.
Projekti “Përkrahja e grave të mbijetuara të dhunës seksuale” do të zbatohet deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2017.