Fondi i Grave të Kosovës ndau 99,842.35€ për 31 organizata të udhëhequra nga gratë

Fondi i Grave të Kosovës ndau 99,842.35€ për 31 organizata të udhëhequra nga gratë

  Me 12 qershor, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti Sesionin Orientues, njëkohësisht edhe  konferencën për media, për të shpallur zyrtarisht 31 përfitueset e 27 granteve të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me shumën prej 99,842.35€. Prej këtyre granteve, ndër të cilat katër janë partneritete, 56,434.25€ financohen nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa 43,408.10€ financohen nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA). 

                FGK, duke mbështetur këto iniciativa të organizatave që drejtohen nga gratë, kontribuon në ndryshimet që ato mund të bëjnë në komunitetet e tyre. RrGGK, përmes FGK gjithashtu inkurajon solidaritetin në mesin e aktivisteve të të drejtave të grave dhe të vepruarit së bashku si lëvizje e grave në kuadwr të zbatimit të Strategjisë së RrGGK-së për 2015-2018, e cila është për përpiluar dhe miratuar bashkë me organizatat anëtare të RrGGK-së. 
            Gentiana Murati, Kordinatore e FGK-së të RrGGK-së, dhe Besa Shehu, Menaxhere e Financave të RrGGK-së, në pjesën e parë të këtij takimi ndanë informata të detajuara lidhur me raportimin narrativ, financiar dhe plotësimin e bazës së të dhënave për monitorimin dhe vlerësimin, përmes të cilave do tu lehtësohet përfitueseve procesi i raportimit gjatë zbatimit të këtyre projekteve. 
            Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, në fjalën e saj përshëndetëse kujtoi fillimet e krijimit të Fondit në vitin 2012 kur shuma e financimeve ishte simbolike në vlerë prej 500€, duke shprehur kënaqësinë që edhe me ndihmën e dy donatorëve kryesor, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Agjencionit Austriak për Zhvillim (ADA), pesë vite më vonë po ndahen gati 100 mijë euro për anëtaret. 
             “Vet prezenca e tyre [donatorëve] këtu na tregon sa shumë e përkrahin punën e organizatave të grave”, tha znj. Rogova, “duke vlerësuar se sa e rëndësishme është barazia gjinore për zhvillimin e një shoqërie”. Ndërsa, përfitueseve u uroj shume suksese duke theksuar që “projektet e suksesshme dhe rezultatet e puna juaj e suksesshme dhe transparente, kanë sjellë Rrjetin këtu ku është sot”. Ajo gjithashtu falenderoi mediat që gjithmonë përkrahin dhe e transmetojnë për publikun punën dhe zërin e grave. 
        Zëvendës Shefi i Sektorit për Bashkëpunim, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Libor Chlad, foli për rëndësinë e këtij Fondi dhe pritshmëritë që ata kanë që këto organizata përmes zbatimit të këtyre projekteve ndikojnë në përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave dhe komunitetit të tyre në Kosovë. Duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore si një e drejtë njerëzore fundamentale si për Bashkimin Evropian, ashtu edhe për Kosovën ai tha se kjo duhet të ketë vëmendje adekuate nga institucionet shtetërore, ku mes tjerash theksoi pritshmëritë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në politika dhe procese vendim-marrëse pas zgjedhjeve të 11 qershorit. 
           “Duke pas parasysh edhe rezultatet e PISA-s të vitit të kaluar, BE është përqendruar që vitin e ardhshëm të ndajë fonde për sektorin e arsimit”, tha ndër të tjera z. Libor Chlad. “Me qenë se ka hapësirë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në sektorin e arsimit, ne do të koncentrohemi në projekte gjithëpërfshirëse ku do të mund të adresojmë ngecjet që kemi identifikuar në këtë sector. Thënë këtë, është e rëndësishme që agjenda e barazisë gjinore të përfshihet në të mësuarit qysh nga fëmijëria në mënyrë që të drejtat e barabarta të rriten bashkë me ta. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë drejtë një shoqërie të barabartë të bazuar në pjesëmarrje, gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri afatgjatë”, shtoi ai. 
            Ndërkaq, Kreu i Zyrës së Agjencionit Austriak për Zhvillim (ADA), z. Gunther Zimmer tha se kanë kënaqësinë që janë pjesë e Fondit të Gravë të Kosovës përmes të cilit ndikojnë në fuqizimin e gruas. Ai gjithashtu theksoi se qysh nga viti 1999 kur ADA ka qenë aktive në Kosovë, gjithëherë në zbatimin e projekteve të saja është kujdesur që barazia gjinore të ketë fokus të veçantë. Z. Zimmer gjithashtu u shpreh që shpreson që Qeveria e ardhshme, ti mbajnë premtimet dhe të përfshijnë sa më shumë gra në vendim-marrje, si mjet për të zhvilluar vendin tutje. 
          “Kur jemi te Qeveria dhe çështjet e rëndësishme që duhet çuar para, dua të theksojë se duhet të inkurajojmë fuqishëm Qeverinë e ardhshme që të ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm për themelimin e Sekretariatit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, si hapi i fundit në këtë proces, duke u mundësuar sa më shumë grave të marrin kompensimin që ju takon” theksoi z. Zimmer. Ai ndër të tjera tha se “Edhe ADA ka mësuar nga boshllëqet sa i përket barazisë gjinore. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të ju mbështesim, por kjo mbështetje do të ishte e pakuptimtë pa bashkëpunimin me RrGGK-në”. 
         Gjatë nënshkrimit të kontratave, Nevenka Rikallo nga organizata Ruka+Ruci, njëherit edhe përfituese e këtij raundi të FGK-së u shpreh se “Roli i RrGGK-së për gratë dhe vajzat në Kosovë është shumë i rëndësishëm duke qenë se me përkrahjen e tyre dhe përmes financimit të projekteve për organizatat e vogla ndikon në ngritjen e pozitës së grave në shoqëri, duke marr parasysh që barazia gjinore është e rëndësishme për tu bërë një shoqëri me standard evropiane”. 
RrGGK dhe organizatat anëtare përfituese nënshkruan kontratat për grantet në vazhdim:

 
Grant Avokimi Individual për një Organizatë:
  • Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) me iniciativën: “Kujdesi shëndetësor është i mirë atëherë kur ka qasje për të gjithë” (2987.50€, përkrahur nga ADA)
  • Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut me iniciativën: “Gratë vendim-marrëse” (2,175.00€, përkrahur nga ADA)
  • Vita Jeta me iniciativën: “Diabeti tek të moshuarit” (2,741.10€, përkrahur nga ADA)
  •  Qendra për Fuqizimin e Gruas me iniciativën: “Fuqizimi ekonomik i grave – nënave kryefamiljare” (2,780.00€, përkrahur nga ADA)
  • Luna me iniciativën: “Shëndeti i grave dhe liria e lëvizjes” (2,987.50€, përkrahur nga ADA)
  • Together in Progress me iniciativën: “Nga Nënat” – Avokim për gratë fermere të komunës së Gjakovës” (2,996.00€, përkrahur nga ADA)
  • Gruaja Bashkëkohore me iniciativën: “Shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese” (2,989.00€, përkrahur nga ADA)
  • Iniciativa për Integrim të Komuniteteve me iniciativën: “Përmirësimi i pozitës së vajzave dhe grave përmes përfshirjes së tyre në vendim-marrje në Komunën e Dragashit” (2,535.00€, përkrahur nga ADA)
  •  Qendra e Gruas "ATO" me iniciativën: “E drejta ime në pronë” (2,324.50€, përkrahur nga ADA)
  • Lulishtja me iniciativën: “Promovimi i të drejtave të grave dhe fuqizimi i rolit të tyre në trashëgiminë pronësore” (2,757.50€, përkrahur nga ADA)
  • OJQ Bliri me iniciativën: “Ngritja e vetëdijes së shëndetit reproduktiv tek të rinjtë” (2,985.00€, përkrahur nga ADA)
  • Gruaja Hynore me iniciativën: "Ngritja e vetëdijes së qytetarëve mbi të drejtën e grave në pronë dhe trashëgimi" (2,530.00€, përkrahur nga ADA)
  •  Klubi Social Jeto me iniciativën: "Qasje më e lehtë e grave në drejtësi për mosmarrëveshje apo konteste pronësore" (2,222.00€, përkrahur nga ADA)
  •  Shoqata e Grave Fermere "Krusha e Vogël" me iniciativën: “Krijo edhe ti një biznes, mos nguro“ (2,440.00€, përkrahur nga ADA)
  •  Handikos Mitrovica me iniciativën: "Qasja e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuar në kujdesin shëndetësor" (3,531.25€, përkrahur nga BE)
  • Shoqata e të Verbërve dhe me të Pamurit e Dobësuar me iniciativën: "Vetëdijesim për përkrahje dhe mbështetje të personave të verbër dhe personave me të pamurit të dobësuar" (3,753.50€, përkrahur nga BE)
  • Qendra e Kosovës për Zhvillim dhe Integrim Multikulturor me iniciativën:  "Fuqizimi ekonomik i të rinjve nga komunitetet jo-shumicë: Rom, Ashkali, Egjiptian, me fokus tek vajzat" (3,705.00€, përkrahur nga BE)
  • Partners Kosova me iniciativën: "Avokimi i grave për të drejtat e tyre pronësore dhe ato të trashëgimisë" (3,532.00€, përkrahur nga BE)
  • Girls Coding Kosova me iniciativën: "#EcShlirë v.3.0. – Bashkëpunimi me policinë e Kosovës" (4,000.00€, përkrahur nga BE)
  • Education Code me iniciativën: “Gratë sipërmarrëse” (3,642.00€, përkrahur nga BE)
  • Instituti i Psikologjisë Aplikative, Alpha me iniciativën: "“Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe grave të burgosura në Kosovë përmes socializmit të tyre (II)” (3,845.00€, përkrahur nga BE)
  • Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes me iniciativën: “Një grua e edukuar, një shoqëri e shëndoshë” (3,815.00€, përkrahur nga BE)
  • Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK) me iniciativën: "Më shumë të drejta për gratë e verbëra" (3,370.00€, përkrahur nga BE)
Grante Avokimi në Partneritet për Ndryshim:
  • Rikotta & Shoqata e Grave "Gora" me iniciativën: “Vetëdijesohu, shëndeti juaj është i rëndësishëm për shoqërinë” (5,958.00€, përkrahur nga ADA)
  •  Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave & Qendra për Promovimin e Familjes së Shëndoshe me iniciativën: “Fuqizimi i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës për realizimin e të drejtave ligjore” (7,305.00€, përkrahur nga BE)
  • Naš Dom (Shtëpia Jonë) & Qendra e Grave për Zhvillim Rural me iniciativën: "Përmirësimi i politikave lokale nga perspektiva e grave"  (7,980.50€, përkrahur nga BE)
  • Dera e Hapur & Ruka Ruci me iniciativën: " Fuqizimi i Grave aktiviste nga komuniteti për të çuar përpara të drejtat e grave dhe barazinë gjinore përmes pjesëmarrjes, informative dhe mediave sociale " (7,955.00€, përkrahur nga BE)
 
Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK-së ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht për grupet që punojnë në vende rurale dhe/apo personat e margjinalizuar. Që nga viti 2012, FGK ka ndarë 131 grante, duke përkrahur 84 organizata, me shumën prej 455,838.50€. FGK ka pasur më shumë se 14,099 përfitues dhe ka kontribuar në së paku 15 ndryshime të politikave drejt përmirësimit të jetës së grave dhe vajzave në Kosovë. Në vitin 2017, Fondi i Grave të Kosovës mbështetet nga Austrian Development Agency (ADA) dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.