Komiteti i Parlamentit Evropian për të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore (FEMM) dhe Nënkomiteti për të Drejtat e Njeriut (DROI) kanë kërkuar nga Nicole Farnsworth, Udhëheqëse e Hulumtimeve në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) që të flasë në "shkëmbimin e përbashkët të pikëpamjeve mbi dhunën ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi", që është mbajtur me 8 qershor 2017, në Bruksel.
Siç e dimë, ekzistojnë disa çështje që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave. Prandaj, pas konsultimeve me aktivistë të të drejtave të grave në të gjithë Europën Juglindore, ajo foli për katër çështje kryesore:
- Reagimi i dobët institucional kundrejt dhunës ndaj grave në shumicën e vendeve, përfshirë këtu edhe "fajësimin e viktimës"; adresimi i pamjaftueshëm i rasteve të dhunës seksuale dhe ngacmimeve seksuale; dështimi për të ndjekur penalisht disa krimeve ex officio; dënimet e ulëta; dhe menaxhimi i dobët ndër-institucional i rasteve.
- Zvogëlimi i hapësirës dhe i fondeve për organizatat për të drejtat e grave në rajon, që pengon aftësinë e tyre për të ofruar shërbime cilësore, për të monitoruar institucionet dhe për të ndërmarrë avokim lidhur me dhunën ndaj grave.
- Nënvlerësimi i të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues, siç janë kufizimet për abortin të imponuara kohët e fundit në disa vende; çasja e pamjaftueshme në arsim, këshillim, dhe kujdes shëndetësor riprodhues të përballueshëm, duke përfshirë kontracepsionin, veçanërisht për grupet e margjinalizuara si romët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat LGBTQI. Ajo gjithashtu do të përmendë vazhdimin e përzgjedhjes së gjinisë në disa vende, përfshirë Kosovën, ku fetuset femra vazhdojnë të abortohen për shkak të preferencave sociale për të pasur fëmijë meshkuj.
- Drejtësia dhe dëmshpërblimet për dhunën seksuale të kryer gjatë luftës. Ajo do të kërkojë mbështetjen e BE-së në shtyrjen e shteteve për të njohur krimet e kryera dhe për të paguar dëmshpërblim ndaj viktimave.
Në përgjithësi, ajo u kërkoi parlamentarëve të BE-së mbështetje që të na sigurojnë që trajtimi i dhunës kundër grave, në të gjitha format e saj, të bëhet prioritet politik.
“Politikanët (vendorë dhe të huaj) kanë tendencë t’i japin përparësi të ashtuquajturave "çështje politike të nivelit të lartë" kundrejt çështjeve që prekin jetën e përditshme të njerëzve, siç është dhuna në familje dhe ngacmimi seksual", tha Farnsworth. "Aktivistët kanë argumentuar gjatë se paqja nuk është thjesht mungesa e luftës. Sa janë të dobishëm kufijtë ose ushtria, nëse nuk keni siguri brenda shtëpisë tuaj, në shkollën tuaj, vendin tuaj të punës, në rrugën tuaj; ose nëse vuani ende nga efektet e dhunës seksuale të kryer gjatë luftës, sepse nuk është bërë asnjë kërkim-falje, nuk është vënë drejtësia në vend?"
Farnsworth kërkoi mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare të BE-së për adresimin e dhunës kundër grave në rajon, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e takimit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me organizatat e të drejtave të grave.
Farnsworth, gjatë qëndrimit në Bruksel, mori pjesë në disa takime tjera, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për barazinë gjinore në Kosovë dhe situatën e grave në mënyrë më specifike, përfshirë pjesëmarrjen në ngjarjet e konferencës së Lobit Evropian të Grave në lidhje me: “TË ZËSHME & TË BASHKUARA për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave” (LOUD & UNITED to end Violence against women and girls).
Kjo iniciativë është përkrahur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna, i financuar nga Suedia.