Gratë e Krushës së Vogël mësojnë të hartojnë plan të biznesit

 Më 20 shtator, “Krusha e Vogël” organizoi në Prizren trajnim në kuadër të projektit “Krijo edhe ti një biznes, mos nguro”. Në këtë trajnim morën pjesë 15 gra dhe burra përfitues të projektit, përfaqësueset nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe ligjëruesi z. Bahri Zeneli.

      Qëllimi i këtij trajnimi ishte fuqizimi ekonomik i grave duke u fokusuar në informimin e tyre për mundësi të ndryshme të aplikimit për subvencione dhe grante, dhe ngritja e njohurive profesionale të të bërit biznes.
          Duke marrur parasysh papunësinë e madhe të grave në viset rurale dhe mos përgatitjen e tyre për tregun e punës në aspektin profesional, gjegjësisht në menaxhimin e bizneseve është parë e arsyshme që të ofrohen këto trajnime të cilat rezultojnë në aftësimin e tyre për të udhëhequr bizneset e tyre në të ardhmen. Po ashtu duke marrë parasysh faktin se gratë e zonave rurale e sidomos ato të Krushës së Vogël që merren me veprimtari të ndryshme bujqësore, pastaj me punë dore, me mbjelljen dhe kultivimin e pemëve dhe perimeve të ndryshme organizata e ka parë të arsyeshme që të punohet me to dhe se ‘zanatin’ apo veprimtarinë e tyre ta ushtrojnë në formë të biznesit dhe në këtë mënyrë do t’i sigurojnë vetes dhe familjes një standard më të lartë jetësorë.
            Gjatë këtij trajnimi temat të cilat u diskutuan kanë qenë: shkrimi i projekt-propozimit, buxheti narrativ, korniza logjike, plani i punës dhe mbajtja e financave të biznesit. Fillimisht të pranishmëve u është shpjegur një fomrë bazike e planit të biznesit dhe të gjitha elementet që duhet t’i përmbajë një plan i tillë. Krahas ligjëratave, pjesëmarrësit bashkë me ligjëruesin punuan një model të projekt-propozimit, i cili shërbeu si shembull i hartimit në praktikë.
Ndonëse për shumicën e përfituesve ishte hera e parë që marrin pjesë në një punëtori të tillë, ajo çfarë mësuan kishte rëndësi të madhe dhe shpresuan që idet e tyre për hapjen e bizneseve të vogla t’i vendosin në plan të biznesit dhe të mund të aplikojnë tek donatorët dhe për subvencione të ndryshme.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).