Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës/QKRMT, në partneritet me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, organizoi punëtorinë dy-ditore: “Dëgjo zërin tim: Adresimi i stigmës që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, punëtori kjo e cila po vazhon edhe sot.
“Qëllimi i punëtorisë është që të shtoj senzibilizimin mbi gjendjen aktuale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe stigmën që rrethon ata; të identifikoj barrierat kryesore dhe masat që adresojnë stigmën në nivel individual, komunitar dhe institucional”, u shpreh zn. Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e QKRMT-së, në fjalën e saj hyrëse.
Të ftuar nderi në këtë punëtori ishin edhe ish Presidente e Republikës së Kosovës, zn. Atifete Jahjaga; Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ruairi O’Connell; dhe Shefja e EULEX Kosova, zn. Alexandra Papadopoulou.
“Pas shuarjes së Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, u bëmë dëshmitarë të ngadalësimit të proceesit të njohjes së statusit të këtyre viktimave. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) i japi një shtytje pozitive procesit, por fatkeqësisht Komisioni po e ngadalëson atë,” u shpreh zn. Jahjaga në fjalën e saj. Më tutje ajo theksoi se “E kemi obligim që si shtet dhe shoqëri t’i mbështesim të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës”.
Ndërkaq, Ambasadori O’Connell, me një shqipe të rrjedhshme, iu drejtua të mbijetuarave të dhunës seksuale të pranishme në këtë ngjarje: “Unë e di që gati për 20 vite me radhë e keni luftuar stigmën e dhunës seksuale; me siguri jeni lodhur. Por, ju e dini, ashtu sikur unë, që sot në Kosovë nuk ka luftë më të madhe se ajo kundër stigmës. Të qenit i mbijetuar i dhunës seksuale nuk është turp; nuk është faji i të mbijetuarit. Turp duhet t’i vijë atij që e ka kryer këtë krim. Aksush më shumë se ju nuk mund ta luftojë stigmën, sepse askush më shumë se ju nuk e ndjen dhembjen”.
Ndërsa, Shefja e EULEX Kosova, zn. Alexandra Papadopoulou në fjalën përshëndetëse ndër të tjera tha: “Sigurimi i viktimave me mbështetje të mjaftueshme – qoftë psikologjike, sociale apo ekonomike – së bashku me përpjekjet për të ndëshkuar autorët e krimeve të tilla, janë dy shtyllat e përpjekjeve për të kapërcyer stigmën që rrethon dhunën seksuale. Puna dhe mbështetja e OJQ-ve në këtë proces të vazhdueshëm është e vlefshme dhe vlerësohet shumë.”
E organizuar në përputhje me Iniciativën Globale për Prevenimin e Dhunës Seksuale (PSVI) në Londër, punëtoria mblodhi ekspert vendor dhe ndërkombëtarë për të trajtuar stigmën që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Pas fjalëve hyrëse nga mysafirët, para të pranishmëve doli aktivistja dhe aktorja e njohur zn. Safete Rogova, e cila recitoi një poezi të saj kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë.
Më tutje, në rend të ditës ishte paneli për diskutim të hapur, i përbërë nga zn. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK); zn. Sabiha HusiÄ‹ nga shoqata Medica Zenica në Bosnjë dhe Hercegovinë; dhe zn. Kadire Tahiraj, Udhëheqëse e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas.
Duke folur për punën e madhe që është bërë për përkrahjen e të mbijetuarve nën mandatin e Presidentes Jahjaga, si dhe për ndaljen e procesit të njohjes së statusit të viktimës për këto të mbijetuara, zn. Rogova theksoi se: “Me që mekanizmat tjerë ekzistojnë, Qeveria e re e Kosovës duhet të përshpejtoj ndarjen e buxhetit të nevojshëm me qëllim që të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së paku të gëzojnë të drejtat e tyre pensionale sipas ligjit”.
Pjesa tjetër e ditës së parë të punëtorisë ishte rezervuar për punën në grupe, me ç’rast, mvarrësisht prej profesionit dhe institucionit që përfaqësonin, të pranishmit u ndanë në katër grupe punuese: 1. Perspektiva individuale, ku morrën pjesë vetë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë; 2. Roli i mediave; 3. Roli i organizatave rinore dhe gazetarëve të pavarur; dhe 4. Roli i insitucioneve, ku morrën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe atyre ndërkombëtare.
Gjatë punës në grupe, u bë identifikimi i barrierave që ndikojnë në stigmën që rrethon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe i mënyrave se si të tejkalohen barrierat e identifikuara, cilat janë masat që duhet ndërmarrë.
Ndërkaq, gjatë ditës së dytë të punëtorisë, vazhdoi puna në grupe, ku u identifikuan resurset e nevojshme dhe afatet kohore për ndërmarrjen e masave dhe adresimin e stigmës. Poashtu, secili grup punues kishte mundësinë të prezantojnë punën e vet para të pranishmëve, gjegjësisht para grupeve tjera punuese.
Rezultatet e dala nga kjo punëtori kanë për qëllim të kontribuojnë në rritjen e çasjes të të mbijetuarve në rehabilitim, drejtësi dhe programe tjera reparative.