Me 8 shtator, në Deçan, u mbajt mbledhja e rradhës e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë (LBGJK) ku morrën pjesë 104 anëtare të Lobit, përfaqësuese të institucioneve lokale, organizatave ndërkombëtare dhe anëtare të stafit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Yllarta Thaqi, anëtare e Lobit në Komunën e Deçanit, njëherit edhe moderatore e këtij takimi, falenderoi pjesëmarrëset, në veçanti znj. Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Republikës së Kosovës, dhe znj. Alexandra Papadopoulou, Shefe e Misionit të EULEX-it në Kosovë. Ajo u pasua nga znj. Nurije Cacaj, përfaqësuese e Lobit për Barazi Gjinore në Deçan, e cila në fjalën hapëse u uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmeve.
Znj. Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Republikës së Kosovës në fjalën e saj përshëndetëse përgëzoi anëtaret e Lobit për punën e tyre të përkyer që nga viti 2014 duke ju uruar suksese në hartimin e strategjisë për vitin 2018. Ndër të tjera ajo theksoi se është shqetësues numri i vogël i grave në subjektet politike ku në zgjedhjet e këtij viti, në 38 komuna, do të garojnë 32 subjekte politike me gjithsej 204 kandidatë dhe vetëm 8 prej tyre janë gra.
“Ky numër shqetësues flet edhe për mungesën e demokracisë dhe mungesën e barazisë gjinore”, shtoi znj. Jahjaga. “Për këtë gjendje nuk mund të fajsojmë vetëm burrat. Shpesh herë gratë bëhen armike të njëra-tjetrës për shkak të ambicieve të tyre. Ato garojnë mes vete apo përdorin njëra-tjetrën për të përfituar personalisht”. Ajo u bëri thirrje të gjitha grave që të mbështesin njëra-tjetrën, se vetëm ashtu mund të arrijmë qëllimin që dëshirojmë.
Me pastaj fjala i’u dha znj. Alexandra Papadopoulou, Shefe e Misionit të EULEX-it në Kosovë. Ajo falenderoi anëtaret e Lobit për punën e tyre në promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
“E di nga përvoja që nevojitet kohë dhe përkushtim. Çfarë ju po bëni këtu është për tu admiruar dhe ju meritoni gjithë mbështetjen e organizatave ndërkombëtare”.
Papadopoulou poashtu theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave dhe burrave duke theksuar se, “asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara nëse lë gjysmën e popullsisë së saj prapa”.
Ndërsa, znj. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK prezantoi një historik të shkurtër të Lobit dhe theksoi se qëllimet e RrGK nuk mund të arrihen pa bashkëpunuar me gratë në politikë, njëherit edhe njëra ndër arsyet e themelimit të Lobit.
Më pas anëtare të tjera të Lobit prezantuan aktivitetet e tyre gjatë kësaj periudhe në komunat e tyre.
Përfaqësuese të disa komunave ngritën çështjen e mbylljes së materniteteve në Kosovë, sidomos në zonat rurale, ku gratë nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor. Së fundmi, është mbyllur materniteti në Komunën e Kaçanikut dhe Klinës, përderisa në Dragash ekziston vetëm objekti me pajisje dhe pa asnjë gjinekolog/e. Fati i njejtë po e pret edhe Istogun, ku pritet që së shpejti të mirret vendimi për mbyllje.
Anëtaret e Lobit u pajtuan që së bashku me RrGK, sapo të emërohet Ministri/ja e Shëndetësisë, ato duhet të ngrisin këto çështje dhe të avokojnë për ndryshime.
Kjo mbledhje u mundësua me përkrahje financiare nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).