“Jeta Vita” shënon muajin e sensibilizimit për kancerin e gjirit

 Më 28 tetor, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit(QKLKGJ) Jeta Vita, organizoi programin e tyre tashmë tradicional, kulturor dhe informues, ku qytetarët kanë marshuar së bashku me moton e organizatës: “Zbulimi i Hershëm = Mbijetesë” për të shprehur solidaritetin dhe rritur sensibilizimin për kancerin e gjirit në shoqërinë kosovare. 
      Qytetarë, përfaqësuese të organizatave të udhëhequra nga gratë si dhe përfaqësues shtetërorë të niveleve të larta u mblodhën në sheshin e Prishtinës me balona, fjonga e shalle rozë në përkrahje të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit. 
       Të pranishmit i përshëndetën me një fjalë rasti Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Drejtorja Ekzekutive e Jeta Vita, Nafije Latifi, të cilët përcollën mesazhin e përbashkët që këto gra nuk janë vetëm sepse vetëm bashkë mund të fitohet çdo betejë. Po ashtu u theksua për rëndësinë e kontrolleve të hershme në mënyrë që të luftohet me kohë kjo sëmundje. 
        Jeta Vita mbi 10 vite bashkëpunon me organizata e institucione të ndryshme në organizimin e këtij marshi dhe në realizimin e aktiviteteve të shumta avokuese për një kujdes shëndetësor kualitativ për gratë në Kosovë.