Alter Habitus organizoi Konferencën Ndërkombëtare “Ballafaqimi me të Kaluarën”

Me 6, 7, dhe 8 tetor, në Prishtinë u mbajt Konferenca Ndërkombëtare "Ballafaqimi me të kaluarën: Lëvizjet shoqërore në Kosovë gjatë socializmit dhe viteve ’90", organizuar nga Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, Qendra për Studime të Evropës Juglindore (Universiteti i Grazit) dhe Universiteti i Prishtinës, duke shënuar kështu edhe 20 vjetorin e demonstratave të studentëve të vitit ’97 në Prishtinë dhe diskutimet për lëvizjet shoqërore në Kosovë.
            Në konferencë morën pjesë figura të ndryshme politike e publike, përfshirë aktivist të shoqërisë civile, profesorë e studiues të shkencave shoqërore, artistë nga Kosova e rajoni që diskutuan për aspekte të ndryshme dhe ndikimin e lëvizjeve shoqërore në Kosovë.
Në hapje të konferencës në mes e folësve ishin edhe Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe Shukrije Gashi, drejtore ekzekutive e Patners Kosova, të cilat folën për aktivizmin dhe lëvizjen e grave të viteve ’90.
        Konferenca ishte e strukturuar në tetë panele diskutimi, prezantime hulumtimesh dhe publikimi i librit të Mary Motes “Kosova, prelude i luftës”. Më specifikisht paneli i parë diskutoi mbi rolin e Universitetit të Prishtinës në lëvizjet shoqërore në Kosovë. Në panelin e dytë dhe të tretë u fol për dimensionet e ndryshme të demonstrave të vitit 1981. Paneli i katërt diskutoi aspektet e artit dhe kulturës në lëvizjet shoqërore në Kosovë, veçanarisht në periudhën e viteve ‘90. Paneli i pestë e gjashtë diskutuan për klasën punëtore dhe lëvizjet shoqërore dhe lëvizjen e grave në Kosovë dhe epistemologjitë feministe në hulumtimin e lëvizjeve shoqërore. Paneli i shtatë solli lëvizjet shoqërore dhe solidaritetin e e viteve ’90, ndërkaq konferenca u përmbyll me panelin e tetë ku u fol për demonstratat e vitit 1997.