RrGK kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasësit Pjetër Nrecaj

Download File

Sot, me 24 qershor, Gjykata Supreme ka kthyer në rigjykim rastin e Pjetër Nrecaj, i cili vuan dënim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Valbona-Marku Nrecaj, dhe vajzës së tyre 9 vjeçare, në gusht të vitit 2018.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes kësaj kumtese kundërshton këtë vendim të Gjykatës Supreme, duke kujtuar për publikun se Pjetër Nrecaj me paramendim, kishte privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij Valbona Marku-Nrecaj, si dhe vajzën e tyre. Madje, ai para se të realizonte vrasjen e paramenduar, kishte dërguar porosi telefonike kërcënuese ndaj tashmë të ndjerës, pas së cilave edhe kishte realizuar planin për ta vrarë atë. Ndaj të njejtit, ishte shqiptuar edhe padia për mbajtje në pronësi, kontroll, dhe posedim të paautorizuar të armëve. Në momentin e ngjarjes, sipas dëshmitarëve, të pranishëm ishin edhe fëmijët tjerë të çiftit, të cilët poashtu kanë mundur të pësojnë nga gjuajtjet e Pjetër Nrecajt. Për këto vepra, Gjykata e Apelit me të drejtë e dënoi atë me burgim të përjetshëm.

Mirëpo, sot Gjykata Supreme në arsyetimin për kthim të këtij rasti në rigjykim, përmendi se “aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje”.

Rikujtojmë Gjykatën Supreme se Kodi Penal, Neni 44  par. 1 thotë se: “Ligji mund të parasheh dënimin me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale të kryera në rrethana veçanërisht rënduese ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda’’, ndërsa me burgim të përjetshëm denohet kushdo që sipas Neni 179, par. 1, nënp. 1.1 privon nga jeta fëmijën, dhe në nënp.1.3 privon nga jeta anëtarin e familjes”.

RrGK konsideron se kthimi në rigjykim për këto vepra ndikon drejtëpërsëdrejti në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë për viktimat potenciale të dhunës në familje dhe familjarët e tyre. Dënimi i vrasësve, e veçanërisht i atyre që ligjërisht njihen si ushtrues recidivist të dhunës në familje, siç është rasti i Pjetër Nrecaj (ju rikujtojmë që i njëjti ka mbajtur paraburgim pasi që në prani të fëmijëve kishte ushtruar dhunë në familje ndaj tashmë të ndjerës) tregon se sistemi i drejtësisë mbron viktimat e dhunës në familje dhe se vrasja si pasojë e kësaj lloj dhune nuk tolerohet.

Prandaj, kërkojmë nga Gjykata Supreme të mos e ndryshojë vendimin e Gjykatës së Apelit, marrë parasysh se të gjitha argumentet ligjore, por edhe vlerat sociale e morale janë në pajtim me dënimin me burg të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë.