Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes kësaj letre u bashkohet zërave vendorë dhe atyre ndërkombëtarë duke dënuar ashpër ndarjen e çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 për shkrimtarin austriak, Peter Handke.
Handke, i njohur si përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, haptasi mohoi masakrat që ndodhën ne Ballkan, duke u deklaruar edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Ai publikisht sygjeroi se myslimanët e Sarajevës masakruan vetveten, si dhe mori pjesë në varrimin e kriminelit të luftës, Millosheviq.
RrGK sjell ndër mend se gjatë regjimit të Millosheviqit në Kosovë janë dhunuar seksualisht 20 mijë persona, si dhe sot 20 vjet pas përfundimit të luftës, mbi 1600 persona janë akoma të zhdukur. Duke kujtuar aktivizmin dhe përpjekjet që RrGK ka bërë për më shumë se dy dekada në emër të kërkimit të barazisë, lirisë dhe vlerave demokratike, RrGK konsideron se ndarja e këtij çmimi për Handke është fyerje e madhe për secilën viktimë të shovinizmit serb.
Kritika ndaj këtij vendimi të Akademisë Suedeze merr fuqi edhe më të madhe kur kujtojmë skandalin me abuzime seksuale që ndodhi vitin e kaluar në këtë institucion, si dhe kur përmendim se në 120 vite punë laureate të çmimit Nobel janë vetëm 15 gra.
Në shenjë solidariteti me të gjithë botën që lufton për liri dhe barazi si vlera thelbësore demokratike, RrGK kërkon tërheqjen e këtij vendimi të Akademisë Suedeze.