19 vite pas, Rezoluta 1325 e OKB-së mbetet relevante për dialogun dhe drejtësinë në Kosovë

Download File

Më 31 tetor 2000, Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi Rezolutën 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Që nga miratimi i saj, aktivistet e të drejtave të grave në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje për zbatimin e kësaj rezolute të rëndësishme.

Rezoluta vë theksin në rolin e rëndësishëm të grave në ndërtimin e paqes si dhe në “rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë dhe përfshirjen e plotë të tyre” në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, duke përfshirë këtu edhe negociatat. Rezoluta poashtu thërret për mbrojtjen e grave dhe vajzave në situatat e konfliktit dhe post-konfliktit, për trajtim të duhur për personelin e mbrojtjes si dhe për drejtësi për krimet kundër njerëzimit, përfshirë edhe dhunën seksuale.

Rezoluta thekson përgjegjësinë e të gjitha shteteve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për t’i ndjekur penalisht përgjegjësit e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, si dhe krimeve të luftës, ndër to edhe krimet seksuale dhe krimet e tjera të kryera ndaj grave dhe vajzave.

Kështu, Rezoluta 1325 edhe sot, 19 vite pas miratimit të saj mbetet shumë aktuale në Kosovë.

Përderisa Kosova do të formojë qeverinë e re e cila do të vazhdojë dialogun me Serbinë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u bënë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si dhe akterëve ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimit Evropian (BE) që të vazhdojnë angazhimin e tyre për zbatimin e Rezolutës 1325 gjatë fazës së dialogut. Në përputhje me këtë rezolutë, gratë duhet të jenë drejtpërdrejt dhe krejtësisht të përfshira në dialog, si dhe të konsultohen vazhdimisht, si në cilësinë e përfaqësueseve qeveritare poashtu dhe si qytetare. Prioritetet dhe nevojat e ndryshme të grave duhet të paraqiten në dialog.

“Dialogu nuk mund të zhvillohet nëse 50% e popullatës nuk i ka të përfaqësuara interesat e tyre në tavolinën e bisedimeve. Nuk ka paqe pa drejtësi”, tha Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, e cila ka avokuar për zbatimin e Rezolutës 1325 që nga miratimi i saj.

Për gratë e çdo etnie, një aspekt i rëndësishëm në vazhdimin e dialogut është zbardhja e fatit të të pagjeturve si dhe t’i vie fundi praktikës së pandëshkueshmërisë për dhunën seksuale dhe krimet e tjera, ashtu siç edhe parashihet në Rezolutën 1325.

Aktivistet për të drejtat e grave në Kosovë pa ndërprerë kanë bërë thirrje për drejtësi dhe për reparacione për dhunën seksuale të shkaktuar, si dhe kanë kërkuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë përfshirjen e grave në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës në vitin 2000. Poashtu, aktivistet vazhdimisht kanë bërë thirrje për përfshirjen e grave në qeveri dhe në proceset vendimmarrëse në Kosovë, si dhe kanë shrytëzuar çdo mundësi për t’iu përkujtuar si faktorëve ndërkombëtar poashtu dhe autoriteteve të Kosovës për përgjegjësitë që kanë për zbatimin e kësaj rezolute.

Këto kërkesa fuqishëm qëndrojnë edhe sot, pasiqë në Kosovë duhet bërë ende përpjekje për pjesëmarrje dhe përfaqësim të barabartë të grave, ashtu siç e parasheh Rezoluta 1325, Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe Ligji për Barazi Gjinore (LBGj). Qeveria e re e Kosovës ka mundësinë që duke filluar që tani të sigurohet për avancimin e zbatimit të kësaj Rezolute.

Për më shumë informata lidhur me zbatimin e Rezolutës 1325 në Kosovë gjeni përmbledhjen e RrGK-së 1325 Fakte & Fabula.

 

Foto: Në ditën ndërkombëtare të gruas, më 8 mars 2006,
Në ditën ndërkombëtare të gruas, më 8 mars 2006, aktivistet për të drejtat e grave vendosin një pankartë para qeverisë dhe parlamentit në Prishtinë për t’u përkujtuar atyre se Rezoluta 1325 garanton të drejtën e grave për pjesëmarrje të barabartë në negociata me Serbinë.