Follow UP – Edukimi dhe avokimi për një shoqëri pa dhunë 

Me një angazhim të palëkundur, Organizata për Integrim dhe Zhvillim Social – Follow UP, ka katër vjet që punon në mbështetje të grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë në familje, duke i ndihmuar në proceset e riintegrimit në shoqëri. Në të njëjtën kohë synon jo vetëm ndihmën për gratë dhe vajzat në procesin e riintegrimit në shoqëri, por edhe avokimin dhe edukimin për të përhapur mesazhin e saj sa më gjerë. 

Puna me këto gra dhe vajza është nga më të ndryshmet, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në të gjithë procesin në forma të ndryshme të cilat kanë nevojë ato.  

“Kemi futur në punë gra që nuk kanë punuar kurrë më parë, si dhe gra me aftësi të kufizuara, që kanë pasë nevoja bazike edhe për shembull qysh me nxerr nji letërnjoftim”, thotë Ermira Tafarshiku nga Follow UP.  

Follow Up ofron mbështetje institucionale për akterët përkatës, duke asistuar në ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve që merren drejtpërdrejt ose tërthorazi me mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës në familje. 

Për të pasur qëndrueshmëri dhe bashkëpunim afatgjatë, komunikimi me këto gra vazhdon edhe pas sigurimit të një vendbanimi nga ana e grave, apo punësimit të tyre. Ato komunikojnë me organizatën dhe u tregojnë edhe për sukseset e të arriturat e tyre 

Sipas Ermirës, e cila punon ngushtë dhe me përkushtim me këto gra dhe vajza, komunikimi i vazhdueshëm dhe arritjet e tyre e bëjnë edhe ekipin e organizatës të ndihet i përmbushur. “Jo vetëm që i ndihmojmë nji herë, po qëllimi është që me vazhdu me ndjekë qysh po ju shkon jeta”, thotë ajo.  

Pas daljes nga strehimoret, Follow UP u ndihmon atyre në gjetjen e punës dhe një vendbanimi të sigurt, edhe pse këto procese janë sfiduese, organizata ka siguruar bashkëpunime të qëndrueshme me partnerë të besueshëm.  

“Te gratë që iu ndihmojmë ka sfida, për shembull takojmë biznese të ndryshme që hezitojnë me i pranu gratë në punë, pasi që me to, mendojnë se edhe do të vijnë problemet e ndryshme”, tregon Ermira. 

Përpos punës së drejtpërdrejt me viktimat e dhunës në familje, në këtë rast gratë dhe vajzat, Follow UP synon të parandalojë shtimin e dhunës, duke i edukuar dhe avokuar te  gjeneratat e reja për çështjet e edukimit seksual.  

Në vitin 2023, organizata Follow UP publikoi një analizë që trajton përfshirjen e temave të edukimit seksual në kurrikulën shkollore. Përmes këtij hulumtimi është dalë në pah nevoja për ndryshime të nevojshme në lëndën e Edukatës Qytetare të klasave të 10-ta dhe 11-ta, si dhe të lëndës së Sociologjisë të klasës së 12-të. Analiza shërbeu si bazë për një studim më të thelluar, për kurrikulën shkollore të lëndës së Edukatës Qytetare të shkollës së mesme, edhe çështjen e infrastrukturës së objekteve shkollore.  

“Hulumtimi i i mëparshëm ka pasë nevojë me ba një identifikim të teskteve shkollore që janë të përdorura në shkollat e mesme, me kqyr çka janë mangësitë, çka ka nevojë për përmirësim”, tregon Kaltrina Zhushi, hulumtuese në nismën e këtij viti.  

Në hulumtimin e zhvilluar gjatë këtij viti, është vendosur të obserbohen 5 shkolla të mesme në Prishtinë, një mësimdhënës/e për shkollë, në orët e lëndës së Edukatës Qytetare, me dy orë mësimore me secilin/ën mësimdhënës/e. Gjatë observimeve janë identifikuar dinamikat brenda klasës, sa i favorizojnë vajzat ose djemtë, dhe sa mund të integrohet perspektiva gjinore brenda orës.  

Sipas Kaltrina Zhushit e cila ka qenë hulumtuese e observimeve, gjetjet kanë lënë shumë për të dëshiruar, pasi që nuk ka mundësi dhe kapacitet të mjaftueshëm të mësimdhënësve për të bërë integrim gjinor. Edhe temat të cilat trajtohen në këto orë, nuk kanë ofruar hapësirë për të bërë një ndërlidhje të tillë. 

Prioritizimi i çështjeve gjinore në lëndën e Edukatës Qytetare varion sipas drejtimit: gjimnazet me drejtim shoqëror i trajtojnë më shumë këto tema, ndërsa shkollat profesionale fokusohen kryesisht te lëndët profesionale, duke lënë mënjanë çështjet sociale. 

Gjatë observimeve është analizuar edhe infrastruktura e shkollave, për të parë si institucione dhe si objekte, a ofrojnë mundësi për gjithëpërfshirje. “Kemi gjetë që shumica e shkollave, sidomos objektet e reja, kanë tendencë me qenë ma mirë sa i përket infrastrukturës, mirëpo ka mungesë të aspekteve që e bëjnë shkollën të qasshme për persona me aftësi të kufizuara”, tregon Kaltrina.  

Gjetje kryesore të hulumtimeve janë që mësimdhënësit/et kanë shumë pak mundësi të bëjnë integrimin e  perspektivës gjinore, sepse ka mungesë të trajnimeve adekuate për këta mësimdhënës.  

Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës me një grant prej € 9,930.75, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).