“Këmisha e Lirisë”, turneu teatror që u jep zë grave dhe flet kundër dhunës   

Në muajin maj, në Drenas u ngjit në skenë për herë të parë një shfaqje që ishte thirrje për ndërgjegjësim dhe reflektim shoqëror. “Këmisha e Lirisë”, një prodhim i Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG), nisi turneun e saj me një mesazh të fuqishëm, që përkrahja shpëton jetë.   

E shkruar nga dramaturgu Arian Krasniqi dhe interpretuar nga aktoret e mirënjohura Safete Rogova, Kumrije Hoxha dhe Igballe Qena, shfaqja trajton me ndjeshmëri e realizëm një temë sa të dhimbshme, aq edhe të rëndësishme – dhunën në familje dhe mënyrat se si shoqëria mund (dhe duhet) të reagojë.  

Pas Drenasit, turneu vazhdoi në Mitrovicë, Drenas, Rahoves e Dragash, ndërsa gjatë qershorit, publiku pati mundësi ta ndjekë në Podujevë, Lipjan dhe Prishtinë. 

Dhe ky është vetëm fillimi, pasi është planifikuar që shfaqja të sillet edhe në qytete të tjera gjatë vitit, në bashkëpunim me organizata lokale dhe komunitetin. Për shembull, gjatë muajit shtator shfaqja do të jetë në Klinë dhe në Obiliq.   

Tri gra – tri histori që pasqyrojnë realitetin 

Në qendër të shfaqjes janë tri gra – secila përfaqësuese e një zëri të zakonshëm në komunitetet tona: 

Nëna (Safete Rogova) – një figurë e përkrahjes dhe kurajos. Ajo përfaqëson prindin që zgjedh të mos heshtë, që i jep vajzës guximin për të ndërtuar një jetë pa frikë, larg dhunës. 

Vjehrra (Kumrije Hoxha) – një zë që nis si kritik, që fajëson viktimën, por që kalon nëpër një udhëtim reflektimi dhe ndryshimi. Kërkimi i faljes ndaj nuses është një moment kulmor që shpërfaq fuqinë e transformimit personal. 

Fqinja (Igballe Qena) – një psikologe dhe ndërmjetësuese, që sjell në skenë rolin e komunitetit. Ajo fton publikun të mos jetë pasiv, duke theksuar se dhuna nuk është problem privat, por shoqëror, që kërkon veprim dhe raportim. 

Më shumë se një shfaqje – një platformë për ndërgjegjësim 

“Këmisha e Lirisë” është një reflektim i fuqishëm për mënyrën se si trajtojmë viktimat e dhunës dhe rëndësinë e mbështetjes emocionale dhe profesionale – veçanërisht në trajtimin e traumës dhe shëndetit mendor, një temë që shpesh mbetet nën hije në diskursin publik. 

Shfaqja është një thirrje për dialog, për ndërhyrje kur dhuna ndodh pranë nesh – dhe për ta kthyer përkrahjen në normë shoqërore, jo përjashtim.