Programet

Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) është që të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në tërë Kosovën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fetare, moshës, nivelit të edukimit, orientimit seksual dhe aftësive.

RrGK e ka vizion një Kosovë në të cilën gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Strategjia e RrGK-së përfshin gjashtë fusha programatike siç shpjegohen më poshtë. RrGK zbaton Strategjinë e saj në bashkëpunim të ngushtë me 140 organizatat e saj anëtare dhe partnerët.

Integrimi i perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE

Gratë në politikë dhe vendimmarrje
Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor
E drejta për shëndet

Problemi

Procesi i Anëtarësimit të Kosovës në BE vazhdon të ketë mungesë të mjaftueshme të pjesëmarrjes së grave. Ndërsa Qeveria dhe Zyra e BE-së në Kosovë shprehin gatishmëri për ta rritur përfshirjen e grave, vetëm disa OShC të grave kanë kontribuar në mënyrë aktive me komente mbi projektligjet dhe politikat që lidhen me procesin e anëtarësimit. Konsultimet mbi planifikimin e programit IPA (Instrumenti i Para-Anëtarësimit) kanë qenë të kufizuara, përveç rasteve kur RrGK ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë në mbështetje të BE-së. Kjo jo vetëm që e pengon të kuptuarit e procesit nga ana e grave, por gjithashtu mund të rezultojë që nevojat e tyre të mos merren parasysh në reformat përkatëse. Plani i Veprimit për Barazinë Gjinore (GAP) III i BE-së, përmes të cilit BE-ja angazhohet të promovojë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në politikën e jashtme, mund të shërbejë si dokument i rëndësishëm për të tërhequr më shumë vëmendje rreth barazisë gjinore si pjesë e procesit të Anëtarësimit në BE. Megjithatë, zbatimi i tij mbetet i kufizuar në këtë drejtim.

Strategjia e RrGK-së

Përmirësimi i zbatimit të GAP III të BE-së dhe i perspektivës gjinore në procesin e Anëtarësimit në BE, i realizuar përmes:

  • Rritjes së mëtejshme të ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të zyrtarëve të BE-së mbi mënyrën e zbatimit të GAP III, veçanërisht duke përfshirë, si dhe duke mbështetur financiarisht dhe politikisht OShC-të e ndryshme për të drejtat e grave;
  • Përmirësimit të përfshirjes së perspektivës gjinore në dokumentet që lidhen me Anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në zbatimin e tyre;
  • Përmirësimit të njohurive dhe kapaciteteve të zyrtarëve të BE-së, Mekanizmave Kombëtarë për Barazi Gjinore (MKBGJ) dhe ministrive të linjës lidhur me integrimin e perspektivës gjinore në dokumentet që lidhen me Anëtarësimin në BE dhe me rëndësinë e përfshirjes së OShC-ve në këtë proces;
  • Përmirësimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së OShC-ve në procesin e Anëtarësimit në BE.

Aktivitetet kryesore

  • Vazhdimi i ofrimit të trajnimeve, mentorimit dhe burimeve informative për BE-në dhe shtetet anëtare të BE-së, drejt zbatimit të GAP III. Kjo përfshin monitorimin e rregullt të zbatimit të GAP III dhe avokimin që rekomandimet që rezultojnë nga monitorimi të zbatohen;
  • Rishikimi i rregullt i dokumenteve përkatëse të Anëtarësimit në BE nga një perspektivë gjinore, dërgimi i rekomandimeve te zyrtarët dhe avokimi për zbatimin e tyre;
  • Sipas kërkesës, vazhdimi i ofrimit të trajnimeve dhe mentorimit për akterët kyç mbi mënyrën se si të përfshihet perspektiva gjinore në dokumentet që lidhen me Anëtarësimin e Kosovës në BE;
  • Informimi i grave për procesin e Anëtarësimit në BE dhe mënyrën se si ato mund të përfshihen, përmes takimeve, postimeve në rrjete sociale dhe artikujve në buletinin elektronik të RrGK-së;
  • Kur është e përshtatshme, ftimi i OShC-ve që të përfshihen në procese specifike dhe mentorimi i tyre;
  • Informimi i akterëve kyç mbi rolin jetik të OShC-ve në procesin e Anëtarësimit në BE dhe nxitja e përfshirjes së tyre më të madhe, përmes takimeve, avokimit dhe strukturave këshilluese si MSA-ja.

Arritjet tona

  • Avokuam me sukses që Komisioni Evropian (KE) të përfshijë 43% të rekomandimeve me fokus gjinor të RrGK-së dhe anëtareve të saj në Raportin e KE-së për Kosovën 2024, dhe deri në 70% në Raportin 2023, në disa kapituj; Raporti më në fund e trajton dhunën në baza gjinore si çështje të sundimit të ligjit.
  • Është publikuar një rishikim gjinor i Planit të Rritjes së BE-së.