RrGK më herët ka raportuar për fushatën “Derë më derë”, një nismë e përbashkët e disa organizatave, përfshirë RrOGRAEK, e cila angazhohet posaçërisht me komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Në kuadër të kësaj kampanje, RrOGRAEK ka trajnuar dhe angazhuar 10 koordinatorë të terrenit, të cilët kanë arritur të takojnë rreth 725 qytetarë, duke zhvilluar biseda të hapura dhe edukative brenda vetë shtëpive të tyre. Qytetarët kanë treguar interesim të lartë për këto çështje shpesh tabu, siç janë dhuna në familje, ngacmimi online dhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore.
Koordinatorët e terrenit raportojnë se një pjesë e madhe e të kontaktuarve nuk kanë qenë të vetëdijshëm se dhuna me bazë gjinore, përfshirë atë përmes teknologjisë, është e kundërligjshme dhe e dënueshme. Gjatë fushatës, është dokumentuar edhe një rast i një gruaje e cila ka ndarë përvojën e saj të dhunës në familje. Megjithëse ajo zgjodhi të mos ndërmarrë hapa ligjorë për momentin, përmes ndërhyrjes së koordinatorëve ajo tani është e pajisur me njohuri, kontakte institucionale dhe rrugë ligjore për mbështetje, përfshirë ndihmën juridike falas nga IKD, RrGK dhe Mbrojtësit e Viktimave.
Fushata ka përdorur broshura informuese në katër gjuhë – shqip, rome, turke dhe serbe – për të siguruar qasje të barabartë për të gjithë anëtarët e komuniteteve të targetuara.
“Bisedat në komunitet nxorën në pah dy dinamika kryesore: një rritje të dukshme të vetëdijes për dhunën me bazë gjinore dhe për dhunën me bazë gjinore të mundësuar nga teknologjia, së bashku me një hezitim të vazhdueshëm midis disa individëve për të ndarë përvojat personale hapur”- tha një përfaqësuese e stafit të RrOGRAEK. “Këto gjetje tregojnë se projekti po rrit me sukses ndërgjegjësimin, por gjithashtu nxjerrin në pah rëndësinë e përforcimit të mekanizmave të ndjekjes, sigurimit të hapësirave të sigurta për dialog dhe krijimit të mundësive praktike për fuqizim”.
Fushata “Derë më derë” është vetëm fillimi i një angazhimi më të gjerë, që synon të krijojë komunitete ku qytetarët ndihen të mbrojtur, të informuar dhe të aftë për të kërkuar ndihmë. Me përkrahjen e vazhdueshme nga RrGK dhe EËMI, RrOGRAEK do të vazhdojë punën në terren, duke adresuar jo vetëm pasojat e dhunës, por edhe shkaqet e saj përmes ndërgjegjësimit, edukimit dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë.