Qendra për Mirëqenien e Gruas që ndër vite mbron dhe fuqizon gratë dhe vajzat 

Që nga viti 1999 është zë i pandalshëm kundër dhunës, dhe në bashkëpunim me të gjithë, sot vazhdon të ndryshojë jetë.  

Themeluar në 1999-ën, Qendra për Mirëqenien e Gruas ka ndërtuar një përvojë të gjatë në adresimin e dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore.  Misioni i saj është fuqizimi ekonomik dhe social i grave, reduktimi i dhunës në familje, si dhe promovimi i barazisë gjinore, mirëkuptimit dhe tolerancës ndëretnike. 

Vetëm gjatë 2025-ës, 67 gra e fëmijë kanë gjetur strehë e mbështetje brenda mureve të Strehimores. Krahas ofrimit të një hapësire të përkohshme dhe të sigurt, ajo siguron kujdes dhe mbështetje 24 orë në ditë, të përshtatura sipas nevojave individuale të grave dhe fëmijëve të strehuar. 

Ekipi i Strehimores kombinon punën sociale, këshillimin psikologjik dhe kujdesin shëndetësor, duke u kujdesur edhe për detaje thelbësore si transporti, veshmbathja dhe produktet higjienike. Këto shërbime synojnë t’i ndihmojnë viktimat të lënë pas peshën e dhunës, të nisin rrugëtimin drejt rimëkëmbjes dhe të riintegrohen në shoqëri. 

Vëmendje e veçantë i kushtohet mirëqenies dhe zhvillimit të fëmijëve. Përveç mbështetjes psikologjike të përshtatur për moshën dhe nevojat e tyre, stafi organizon aktivitete edukative dhe argëtuese duke krijuar një hapësirë sa më të sigurt dhe mbështetës për ta gjatë qëndrimit në Strehimore. 

Krahas ofrimit të shërbimeve të drejtpërdrejta, QMG ndërmerr iniciativa për parandalimin dhe reduktimin e dhunës me bazë gjinore, fuqizimin ekonomik të grave dhe ndërgjegjësimin e komunitetit. Angazhimi shtrihet edhe në forcimin e kapaciteteve të institucioneve, organizatave dhe rrjeteve që punojnë për mbrojtjen e viktimave. Puna e saj përfshin gjithashtu ndërgjegjësimin për shëndetin riprodhues dhe promovimin e dialogut ndëretnik, demokracisë dhe barazisë gjinore. 

Historia e Qendrës për Mirëqenien e Gruas dëshmon rëndësinë e shërbimeve të specializuara dhe të qasshme për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunë.  

Ditë më parë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u takua me Ardita Ramizi Balën nga Qendra për Mirëqenien e Gruas – Strehimorja në Pejë (QMG). Në qendër të bisedës ishte puna e Strehimores, shërbimet që u ofrohen grave dhe fëmijëve, si dhe bashkëpunimi shumëvjeçar mes Qendrës dhe RrGK-së. 

Anëtare e RrGK-së që nga 2003-a, QMG ka thurur lidhje të qëndrueshme me organizatat e grave në mbarë Kosovën¾ duke shkëmbyer përvoja dhe njohuri, si dhe duke bashkërenduar nisma të përbashkëta. Përvoja e saj nga puna e drejtpërdrejtë me viktimat ka ndihmuar që nevojat dhe shqetësimet e grave dhe strehimoreve të adresohen në proceset vendimmarrëse në nivel lokal dhe qendror.  

Përmes këtij bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, QMG dhe RrGK kanë avokuar së bashku për politika më të mira, shërbime cilësore dhe mbështetje të qëndrueshme institucionale për viktimat e dhunës dhe strehimoret. 

RrGK do të vazhdojë bashkëpunimin me QMG dhe organizatat e tjera anëtare, duke mbështetur përpjekjet e tyre për mbrojtjen e viktimave, përmirësimin e shërbimeve më cilësore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në Kosovë. 

Më shumë rreth punës së QMG-së mund të mësoni në faqen e saj në Facebook.