Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u bashkohet thirrjeve për raportim të përgjegjshëm dhe u bën thirrje të gjitha mediave vendore që, gjatë raportimit të rasteve të ndjeshme, të respektojnë Kodin e Etikës dhe të shmangin publikimin e pamjeve apo përmbajtjeve që cenojnë dinjitetin, privatësinë dhe integritetin e personave të përfshirë.
Ne patjetër që vlerësojmë se informimi i publikut është i rëndësishëm, por interesi i publikut nuk duhet të ngatërrohet me kureshtjen e publikut. Raportimi nuk duhet të shndërrohet në sensacionalizëm, e në këtë rast gjendja e rënduar e një personi të përdoret për klikime, shikueshmëri apo reagime në rrjete sociale.
RrGK thekson veçanërisht rëndësinë e raportimit me ndjeshmëri kur bëhet fjalë për shëndetin mendor dhe mendimet apo sjelljet vetëvrasëse. Publikimi i videos, siç ka ndodhur në këto 24 orët e fundit, patjetër që cenon më tej personin por dhe familjarët e tij, madje mund të shkaktojë pasoja të rënda emocionale dhe të ndikojë negativisht te persona të tjerë që mund të jenë duke përjetuar një krizë të shëndetit mendor.
RrGK sot u bën thirrje mediave dhe personave që publikojnë pamje të ngjashme, të shmangin publikimin e pamjeve të panevojshme, të mos ekspozojnë identitetin dhe privatësinë e personave kur kjo nuk është në interes të publikut, dhe të mos përdorin gjendjen e shëndetit mendor të një personi për sensacionalizëm.
Si organizatë që punon për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, një jetë pa dhunë dhe qasje më të mirë në shërbime shëndetësore, RrGK e sheh këtë si pjesë të një përgjegjësie më të gjerë shoqërore, pra të krijojmë një hapësirë publike dhe digjitale ku njerëzit trajtohen me dinjitet, veçanërisht në momentet kur janë më të cenueshëm.
Por, në të njëjtën kohë, RrGK u bën thirrje të gjithë personave që përjetojnë mendime vetëvrasëse apo krizë të shëndetit mendor të mos përballen vetëm dhe të kërkojnë ndihmë profesionale te psikologët, apo profesionistët e shëndetit mendor.
Kundër këtij raportimi joetik, Linja e Jetës ka bërë thirrje për protestë më datë 17 gusht, ditë e hënë, në orën 12:00 në rrugën Luan Haradinaj, për të kërkuar përgjegjësi.
Për çdo ndihmë të nevojshme dhe për parandalimin e vetëvrasjeve, 📞telefononi pa pagesë në 0800 12345.
