Qendra për Barazi dhe Drejtësi: Barazia nuk pret, ndërtohet çdo ditë 

Nga fuqizimi i grave dhe vajzave deri te avokimi pranë institucioneve, Qendra për Barazi dhe Drejtësi (QBD) punon që të drejtat e njeriut të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen në jetën e përditshme. 

E themeluar në vitin 2023 dhe me seli në Prizren, QBD është një organizatë që punon për mbështetjen, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë te gratë dhe vajzat. Përmes trajnimeve, avokimit, lobimit dhe nismave për fuqizim ekonomik, QBD bashkëpunon me qytetarët dhe institucionet për adresimin e pabarazive dhe krijimin e mundësive më të barabarta. 

Një pjesë e rëndësishme e punës së organizatës është mbështetja e grave dhe vajzave që përballen me dhunë me bazë gjinore. QBD ofron këshillim dhe i mbështet ato gjatë procesit të raportimit. Organizata është pjesë e Mekanizmit Komunal kundër Dhunës në Familje dhe e Mekanizmit Institucional në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prizren, duke qenë e vetmja organizatë e shoqërisë civile e përfaqësuar në të dy mekanizmat. 

QBD punon gjithashtu për të fuqizuar gratë dhe vajzat që t’i njohin të drejtat e tyre, të flasin për çështjet që i prekin dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet. Përmes aktiviteteve të ndryshme, organizata krijon hapësira për diskutim dhe shkëmbim të përvojave, ndërsa përpiqet që perspektivat dhe nevojat e grave të përfshihen në politikat dhe proceset vendimmarrëse në nivel lokal dhe qendror. 

Në kuadër të angazhimit për barazi gjinore, QBD ka organizuar punëtori për analizimin e punës së drejtorive komunale nga perspektiva gjinore. Përmes tyre, organizata ka nxitur diskutimin mbi përfaqësimin gjinor, shpërndarjen e burimeve dhe ndikimin që politikat lokale mund të kenë te gratë dhe burrat. 

QBD ka kontribuar edhe në procesin e hartimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2025–2035. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, organizata ka sjellë në diskutimet për politikat e ardhshme përvojat dhe çështjet e identifikuara gjatë punës së saj në terren. 

Aktualisht, QBD është duke finalizuar një politikë gjinore me rekomandime konkrete për secilën drejtori komunale në Prizren. Dokumenti synon t’i ndihmojë institucionet lokale që perspektivën gjinore ta përfshijnë më mirë në politikat, buxhetet dhe shërbimet e tyre. 

Puna e QBD-së shtrihet edhe në çështjet që lidhen me shëndetin dhe mirëqenien e grave. Përmes bashkëbisedimeve me gra dhe vajza, organizata ka trajtuar rëndësinë e qasjes në shërbime shëndetësore dhe të kontrolleve të rregullta, duke synuar rritjen e informimit dhe inkurajimin e grave që ta prioritizojnë shëndetin e tyre. 

Krahas barazisë gjinore, QBD angazhohet edhe në aktivizmin qytetar dhe mbrojtjen e mjedisit. Organizata ka mbështetur krijimin e një rrjeti joformal të avokuesve të mjedisit në Prizren, duke nxitur qytetarët të përfshihen në adresimin e problemeve të komunitetit dhe të kërkojnë zgjidhje nga institucionet. 

Një tjetër nismë e QBD-së lidhet me qasjen për personat me aftësi të kufizuara. Organizata ka krijuar një aplikacion për raportimin në kohë reale të hapësirave të paqasshme, përfshirë hyrjet, tualetet dhe objektet e tjera të papërshtatshme. Përmes këtyre raportimeve, QBD synon të rrisë përgjegjshmërinë e institucioneve dhe bizneseve dhe të nxisë krijimin e hapësirave të qasshme për të gjithë. 

Gjatë takimit me Tringa Kasemin, Drejtoreshë Ekzekutive e QBD-së, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) diskutoi për punën dhe rezultatet e organizatës, sfidat me të cilat përballen gratë dhe vajzat në Prizren, si dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit. 

QBD ka ndërtuar një prani aktive në Prizren përmes punës së drejtpërdrejtë me qytetarët, pjesëmarrjes në procese politikëbërëse dhe avokimit për barazi gjinore dhe të drejta të njeriut. 

“Ne, në fund të ditës, kënaqemi me punën që bëjmë dhe me njerëzit te të cilët arrijmë të ndikojmë”, tha Tringa. 

RrGK është e lumtur që Tringa Kasemi është pjesë e Bordit të saj, duke sjellë në punën e Rrjetit përvojën, perspektivat dhe njohuritë e saj nga angazhimi për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. RrGK do të vazhdojë bashkëpunimin me QBD-në dhe organizatat e tjera anëtare, duke mbështetur përpjekjet e tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fuqizimin e grave dhe vajzave dhe avancimin e barazisë gjinore në Kosovë. 

Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të QBD-së mund të mësoni në faqen e saj në Facebook.