Takimi me Anëtaren e Nderit të Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Belgjyzare Muharremi, Drejtore Ekzekutive e organizatës “Dera e Hapur”, të bën të zhytesh në historitë e saj që ajo i tregon dhe e sheh botën nga një perspektivë tjetër. Dje, kur u takuam me të, biseda nisi si një udhëtim nëpër historinë e aktivizmit të saj dhe të grave në Kosovë: nga vitet e luftës dhe pasluftës, te organizimi i grave, solidariteti dhe përpjekjet e vazhdueshme për të krijuar më shumë mundësi për gratë.
Si shumë aktiviste, Muharremi e nisi aktivizmin për të drejtat e grave në vitet nëntëdhjetë si anëtare e Forumit të Grave të LDK-së dhe Shoqatës Nëna Terezë. Ajo gjithashtu punoi me Kryqin e Kuq. Gjatë kësaj kohe, ajo mbështeti mbledhjen dhe paketimin e ndihmave humanitare për shpërndarje në zonat e prekura nga lufta, duke përfshirë zonat rurale dhe malore. Së bashku me organizata të tjera për të drejtat e grave si Motrat Qiriazi dhe Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, ajo u përfshi në mbështetjen e grave dhe fëmijëve të zhvendosur me forcë, duke përfshirë nënat që kishin lindur fëmijë ndërsa fshiheshin në male.
Në vitin 1999, ndërsa vetë ishte refugjate, ajo bashkëpunoi me Motrat Qiriazi dhe organizatat e grave në Maqedoni për të ndihmuar gratë dhe fëmijët refugjatë gjatë luftës. Në kampet e refugjatëve në Maqedoni, ajo dhe aktiviste të tjera u përballën drejtpërdrejt me nevojat e grave që kishin përjetuar edhe luftën por dhe zhvendosjen. Mbështetja psikosociale, kujdesi shëndetësor dhe informimi mbi të drejtat e grave u bënë pjesë e punës së tyre të përditshme.
Pas kthimit në Kosovë, kjo përvojë u shndërrua në një angazhim afatgjatë. Më 1 janar 2000, u hap Qendra e Grave “Dera e Hapur” në Prishtinë, me synimin për t’iu përgjigjur nevojave të grave dhe për të krijuar hapësira ku ato mund të mblidheshin, mësonin dhe fuqizoheshin. Ajo kujton momentet e para të RrGK, kur aktivistet u bashkuan nën mbështetjen dhe udhëheqjen e Igballe Rogovës, për të formalizuar rrjetin.
“Dera e Hapur” ka punuar vazhdimisht për fuqizimin e grave dhe avancimin e pozitës së tyre në shoqërinë kosovare. Menjëherë pas luftës, organizata mblodhi gra për të mësuar aftësi të reja, duke përfshirë anglisht, kompjuterë, qepje dhe marketing, ndër të tjera. Organizata ofron trajnime, kurse dhe punëtori, ndërsa përmes punës me artizanatin dhe produkte të punuara nga gratë, krijon mundësi për fuqizimin e tyre ekonomik. Këto hapësira mësimi u ofruan gjithashtu grave një hapësirë për të diskutuar traumën, strategjitë për përballimin e traumës dhe për të mbështetur njëra-tjetrën. Me kalimin e kohës, organizata mbështeti diskutime të mëtejshme mbi të drejtat e grave dhe përfundimisht bashkoi gratë shqiptare dhe serbe për të diskutuar të kaluarën e tyre dhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.
Puna e organizatës ka kaluar përtej trajnimeve. Përmes krijimit të mundësive për shitjen e produkteve të tyre, gratë kanë pasur mundësi të gjenerojnë të ardhura dhe të ndërtojnë më shumë pavarësi ekonomike. Një shembull është iniciativa “E Shpis”, e cila krijoi vende pune për gra, duke u dhënë atyre mundësi të përdorin aftësitë e tyre dhe të ndërtojnë përvojë në punë dhe menaxhim. Por po ashtu, foli edhe për lidhjen e grave me stiliste si Blerina Kllokoqi Rugova, përmes së cilës ato krijuan veshje të cilat u prezantuan pastaj jashtë Kosovës.
https://www.facebook.com/share/p/196ZmSvf47/
Edhe panairet e artizanateve kanë qenë pjesë e kësaj pune. Për vite me radhë, “Dera e Hapur” ka krijuar hapësira ku gratë artizane kanë mundur të promovojnë dhe shesin punën e tyre, duke e lidhur ruajtjen e trashëgimisë kulturore me fuqizimin ekonomik të grave.
Përvoja e Belgjyzare Muharremit është gjithashtu e lidhur ngushtë me historinë e Rrjetit të Grave të Kosovës. Ajo ka shërbyer si anëtare dhe Kryetare e Bordit të RrGK-së, e pastaj vazhdoi të ishte pjesë e Bordit, duke përfaqësuar edhe “Dera e Hapur”.
Gjatë bisedës, kujtuam jo vetëm punën e saj dhe të “Dera e Hapur”, por edhe rrugëtimin e RrGK-së dhe kontributin e organizatave të grave në Kosovë. Nga mbështetja e drejtpërdrejtë për gratë në kohë krize, te avokimi për ndryshime institucionale e politika më të drejta, gratë aktiviste kanë dëshmuar se solidariteti mund të shndërrohet në forcë për ndryshim.
Për Belgjyzaren, aktivizmi nuk është vetëm një rol apo një profesion.
“Aktivizmi vjen nga brenda, nga shpirti”, tha ajo.
RrGK-ja është me fat që ndër vite ka pasur mbështetjen, përvojën dhe lidershipin e grave si Belgjyzare Muharremi. Kontributi i saj, si në “Dera e Hapur” ashtu edhe në Bordin e RrGK-së, është pjesë e një historie më të gjerë të grave që kanë punuar për të krijuar më shumë hapësira, mundësi dhe të drejta për gratë në Kosovë.
Nëse dëshironi të kontribuoni për organizatën “Dera e Hapur”, mund të bëni një donacion duke kontaktuar Rrjetin e Grave të Kosovës ose duke ju shkruar drejtpërdrejt vet organizatës në këtë email-adresë c_opendoor@hotmail.com.
