Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetesim të thellë për vrasjen e një gruaje në Vitomiricë të Pejës, e cila, pavarësisht kërkimit të ndihmës institucionale, nuk arriti të mbrohej nga dhuna që i mori jetën.
Rasti është veçanërisht shqetësues duke pasur parasysh sfidat me të cilat ajo ishte përballur lidhur me besimin dhe kontaktin me fëmijën e saj, si dhe shqetësimet e ngritura për trajtimin institucional të rastit. Sipas raportimeve në media, ajo i ishte drejtuar edhe Prokurorisë me pretendime për dështime institucionale. Më 25 tetor, pas ndërhyrjes policore, ajo u kthye në shtëpi dhe u vra pak minuta më vonë.
Ky rast ngre pyetje serioze për dështimin e mundshëm të zinxhirit institucional që duhej të garantonte mbrojtjen e saj. Kur një grua përballet me dhunë, ngre shqetësime për sigurinë e saj dhe kërkon ndihmë, secili institucion ka detyrimin të veprojë në mënyrë të përgjegjshme, të koordinuar dhe në përputhje me kompetencat e tij ligjore. Raportimet e mëparshme, rrethanat familjare, shqetësimet lidhur me fëmijën dhe çdo sinjal tjetër i rrezikut duhet të shqyrtohen së bashku, e jo të trajtohen si çështje të izoluara nga njëra-tjetra.
RrGK thekson se vlerësimi i rrezikut nuk mund të jetë një formalitet që kryhet vetëm për të plotësuar procedurat. Ai duhet të jetë serioz, individual dhe i bazuar në të gjitha rrethanat e rastit, me qëllim identifikimin e rrezikut real dhe përcaktimin e masave konkrete për mbrojtjen e viktimës. Po ashtu, ndërhyrja policore nuk mund të konsiderohet e përfunduar vetëm sepse është përgatitur një procesverbal apo janë ndërmarrë veprime procedurale. Pyetja thelbësore është nëse veprimet e ndërmarra kanë qenë të mjaftueshme për ta mbrojtur jetën dhe sigurinë e saj.
RrGK kërkon hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e mundshme të Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale. Duhet të shqyrtohet se si janë trajtuar raportimet e mëparshme, nëse rreziku është vlerësuar siç duhet, nëse institucionet kanë shkëmbyer informacionin e nevojshëm dhe nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e kërkuara me ligj. Asnjë institucion nuk duhet të shmangë përgjegjësinë duke u thirrur vetëm në përmbushjen formale të kompetencave të veta, pa u shqyrtuar nëse ndërhyrja e tij ka kontribuuar realisht në mbrojtjen e viktimës.
Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi kërkon ndihmë. Mbrojtja e jetës është detyrim ligjor dhe institucional, ndërsa dështimet e mundshme duhet të identifikohen, të hetohen dhe të pasohen me llogaridhënie.
RrGK u bën thirrje qytetarëve dhe organizatave që t’i bashkohen protestës gjithëpopullore të paralajmëruar për 25 nëntor, për të kërkuar drejtësi për gratë e vrara, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.
RrGK shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës.
Për këshillim ligjor falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore, kontaktoni RrGK-në në 048 105 800.
