Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësimin lidhur me rastin e profesoreshave Rezarta Ramadani-Hyseni dhe Vjollca Dibra-Ibrahimi, ndaj të cilave, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren më 23 tetor 2026, pretendohet se janë ushtruar kërcënime nga kolegu i tyre në Universitetin e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për dy raste të ndara të kërcënimit, në maj të vitit 2025. Në njërin rast, profesoreshës Vjollca Dibra-Ibrahimi i janë drejtuar fjalë kërcënuese për ta hedhur nga dritarja, ndërsa profesoreshës Rezarta Ramadani-Hyseni i është bërë një kërcënim që i ka shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e saj. Aktakuza përfshin edhe dëshmi që mbështesin pretendimet e të dëmtuarave.
RrGK thekson se asnjë grua nuk duhet të përballet me kërcënime, frikësim apo forma të tjera të dhunës për shkak të ushtrimit të detyrës së saj profesionale, pjesëmarrjes në vendimmarrje apo kandidimit për pozita udhëheqëse. Gratë kanë të drejtë të punojnë, të udhëheqin, të konkurrojnë dhe të marrin pjesë në jetën publike pa frikën se do të kërcënohen apo ndëshkohen për këtë.
RrGK kërkon nga institucionet e drejtësisë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, me kujdes të veçantë ndaj të drejtave dhe dinjitetit të të dëmtuarave, dhe që procedurat gjyqësore të zhvillohen pa zvarritje të panevojshme. Presim që gjykata të vlerësojë me paanshmëri të gjitha provat dhe, nëse vërtetohet përgjegjësia penale, të shqiptojë dënim adekuat dhe proporcional me veprat e kryera.
Njëkohësisht, kërkojmë nga Universiteti i Prizrenit dhe institucionet përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe pa dhunë e frikësim për stafin akademik, si dhe të mos tolerojnë asnjë formë të hakmarrjes, presionit apo diskriminimit ndaj grave që raportojnë kërcënime dhe kërkojnë mbrojtje.
Drejtësia nuk përfundon me ngritjen e aktakuzës. Ajo kërkon trajtim adekuat të rastit, mbrojtje të të dëmtuarave, përgjegjësi institucionale dhe vendosje të drejtësisë.
RrGK do të vazhdojë të avokojë për institucione ku gratë mund të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre pa dhunë, frikësim dhe pengesa patriarkale.
Për këshillim ligjor falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore, kontaktoni RrGK-në në 048 105 800.
