Agjenda e Reformës Evropiane (ERA) rishikohet nga perspektiva gjinore

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka dërguar të dhëna zyrtare në Agjendën e Reformës Evropiane (ERA) tek zyra e BE-së në Kosovë dhe në Ministrinë e Integrimeve Evropiane. ERA është një dokument i hartuar nga qeveria e Kosovës me qëllim për të përshpejtuar progresin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE). ERA është e përbërë nga 17 prioritete, të identifikuara nga qeveria si prioritete të rëndësishme për Kosovën që t’i adresojë deri në fund të vitit 2017. Prioritetet janë të ndara në tre grupe: qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit, konkurrenca dhe klima e investimeve, punësimi dhe arsimimi. RrGGK kërkoi të përfshihet perspektiva gjinore brenda secilës prej këtyre fushave.
     Lidhur me fushën e qeverisjes së mirë dhe sundim të ligjit, RrGGK vuri në dukje se provizionet e Ligjit për Barazi Gjinore (LBGJ) në lidhje me përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha institucionet duhet të zbatohen në të gjitha institucionet e pavarura, agjencitë dhe organet rregullatore. RrGGK ka rekomanduar që të vihen në vend masat e duhura për të siguruar përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha institucionet publike dhe në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, në përputhje me Planin e Veprimit Gjinor në BE (GAP) dhe LBGJ. Kur zbatohet prokurimi elektronik i detyrueshëm, E-Systems duhet të përfshijë fusha për të dhëna të ndara sipas gjinisë në përputhje me LBGJ dhe praktikat më të mira të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. 
    Në fushën e konkurrencës dhe investimit, RrGGK ka rekomanduar që Agjencia për investime dhe ndërmarrje në Kosovë (KIESA) të përfshijë një kuotë për mbështetjen e grave-udhëheqëse në biznese ose një kategori të granteve specifike për gratë udhëheqëse në biznese, për të  çuar më tej konkurrencën e tyre. Me këtë rekomandim, gratë dhe burrat përfitojnë prej këtyre shpenzimeve në përputhje me EU GAP dhe LGE, për BPGj-në. Me qëllim të adresimit të ekonomisë informale, RrGGK ka theksuar se nuk ekzistojnë të dhëna të qarta në lidhje me natyrën e ekonomisë informale. Prandaj, para se të krijohet një strategji dhe plan veprimi për të adresuar këtë, qeveria duhet të hulumtojë ekonominë informale për ta kuptuar më mirë. Strategjia dhe plani i veprimit duhet të rishikohen nga një perspektivë gjinore, t’i bëhet një analizë gjinore dhe t’i përshtatet mënyrave të ndryshme që gratë dhe burrat mund të paraqiten brenda ekonomisë informale. Në të kundërtën, tentativat për të adresuar ekonominë informale mund të kenë ndikim negativ në mirëqenien e grave apo të burrave më saktësisht, ndonjëherë pa qëllim. 
   Në fushën e punësimit dhe edukimit, RrGGK ka rekomanduar që Sektori Strategjik për Punësim dhe Politikë Sociale dhe Plani i tij i Veprimit të rishikohet nga ekspertë gjinorë. Duhet të konsiderohen normat e ndryshme në punësim për gra dhe burra të moshave të ndryshme në Kosovë. Më tutje, zbatimi i kurrikulës së re dhe librave arsimorë duhet të përfshijnë një rishikim të duhur gjinor. Përveq gabimeve shkencore në librat arsimorë, gjuha diskriminuese dhe aspak sensitive nga aspekti gjinor shumë shpesh përdoret në librat arsimorë të tanishëm. Ekspertët gjinor duhet të jenë pjesë e procesit për tu siguruar që në kurrikulën e re dhe librat arsimorë të mos përdoret një gjuhë e tillë e as të përforcohen rolet tradicionale gjinore. Për më tepër, programet e trajnimeve për mësimdhënës duhet të përfshijnë trajnime gjinore në mënyrë që mësimdhënësit të mos përforcojnë rolet gjinore tradicionale, dhe të jenë të përgaditur kur ligjërojnë për tema të ndjeshme, siç është shëndeti riprodhues.
   Përveç prioriteteve tashmë të identifikuara nga ERA, RrGGK ka propozuar edhe këto prioritete të tjera: 1) avancimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore brenda qeverisjes dhe reformës së administratës publike, dhe 2) përmirësimin e punës së Inspektoratit të punës, duke përfshirë adresim më të mirë të diskriminimit gjinor në punë, për të cilën hulutimi i RrGGK-së ka treguar të jetë mjaft i përhapur në Kosovë.  Inspektorati mund të rritë inspeksionin në lidhje me sigurinë në punë për gratë shtatzëna, pushim të lehonisë dhe diskriminim në punësim.