“Jam shumë e kënaqur me punën e suksesin që kam pasur për t’i ndihmuar gratë pensioniste” Këto ishin disa nga fjalët e Ajshe Nuhiut, një grua e pandalshme, dhe gjithmonë e gatshme të punojë vetëm për t’iu ofruar grave të tjera mundësi dhe hapësirë për të drejtat e tyre.
Zonja Ajshe njihet si gruaja që shtroi rrugë për gratë pensioniste, kategori kjo e harruar pothuajse tërësisht nga shteti.
Kjo grua humaniste që nuk lodhej kurrë themeloi shoqatën Vita-Jeta, që kishte si mision fuqizimin dhe emancipimin e grave pensioniste, duke iu ofruar përkrahje psiko-sociale, rehabilitim dhe mbrojtje shëndetësore.
Ndër vite zonja Ajshe arriti që me punën e saj të palodhshme ta rrisë numrin e anëtareve të shoqatës fillimisht me qindra, ndërsa ndër vite arriti në mijëra gra anëtare. Ajo pasuroi jetën e tyre me aktivitete të ndryshme, ligjërata dhe tema të rëndësishme për gratë pensioniste, sidomos në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.
Falë angazhimit dhe avokimit të zonjës Ajshe bashkë me stafin e organizatës shumë gra fituan vizita mjekësore falas për sëmundjen e osteoporozës, duke u mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës i RrGK-së.
Ajo e konsideroj këtë sëmundje si vrasës i heshtur, që atakon shumë gra sidomos në moshën e tretë. Osteoporoza është një sëmundje e cila dobëson kockat gradualisht, duke çuar në dhimbjen dhe thyerjen e tyre. Andaj ajo disa herë ka mbledhur gratë duke i vetëdijesuar për këtë dhe sëmundje të tjera, në mënyrë që gratë pensioniste të gëzojnë shëndet të plotë dhe një jetë aktive.
“Me qindra gra, me qindra herë e kanë uruar nënën tonë për kontributin socio-psiqik që e ka dhënë për ato,” ka thënë Arbër Nuhiu, djali i Ajshes.
Ndërkaq sot, zonjën Ajshe e kujtojnë edhe disa nga shoqet e saj, anëtare të organizatës, gjithmonë me fjalë të mira.
Binaze Visoka, njëra nga anëtaret e organizatës Vita-Jeta ka thënë: “Ajshja na bëri të mundshme që së bashku si shoqatë të shëtisim dhe të vizitojmë vende të bukura që ne të ndjeheshim të lumtura. Ajo na caktonte termine mjekësore dhe na mundësonte këshilla mjekësore që të kemi kujdes dhe të sigurojmë shëndet të mirë”.
Ndërkaq edhe Sabrije Nimani tha për zonjën Ajshe se: “Të shkruash për një person si zonja Ajshe dhe të mendosh të shprehesh në të kaluarën është mjaft e vështirë, sepse ajo akoma jeton me ne në përditshmërinë tonë. Anëtarësimi im në shoqatën ku ajo ishte kryetare më bëri të tejkaloj shumë vështirësi dhe më ndihmoi për krijimin e shoqërisë të cilën tani e kam pjesë shumë të çmuar të jetës”.
Puna e nisur nga zonja Ajshe përmes organizatës Vita-Jeta, po vazhdon edhe sot ku gratë pensioniste janë aktive dhe vazhdojnë të përfitojnë nga aktivitetet të ndryshme. Vita-Jeta vazhdon të jetë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, ndërsa stafi i RrGK-së kishte nderin dhe kënaqësinë ta ketë një anëtare si Ajshe Nuhiu dhe i gëzohen faktit që puna e saj po vazhdon të ndriçojë.
Ajshe Nuhiu lindi në vitin 1945 dhe ndërroi jetë në vitin 2015.