Dje, Kryetetarja e Bordit të RrGGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa mori pjesë në një diskutim mbi fillimin e procesit të hartimit të Udhëzimit Administrativ për Regjistrimin e Pronave në Emër të të dy Bashkëshortëve, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës për të shënuar 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Diskutimi u fokusua në Udhëzimin Administrativ i cili do të lironte bashkëshortët nga taksat dhe pagesat lidhur me regjistrimin e pronës. Ky veprim afirmativ do të nxisë regjistrimin e përbashkët të pronës, nga i cili do të përfitojnë gratë në veçanti.
Aktualisht, vetëm 16.5% e pronave në Kosovë janë të regjistruar në emër të grave dhe/ose si pronë e përbashkët. Mos posedimi i pronës në mënyrë të barabartë iu pamundwson graveqasjen në kredi bankare dhe pengon fuqizimin e tyre më të gjerë ekonomik.
Përderisa Qeveria e Republikës së Kosovës së shpejti do të hartoj kodin e ri civil, dhe Projekti i të Drejtave të Pronës Civile i finacuar nga BE dhe implementuar nga GIZ të cilët janë duke rishikuar kornizën ligjore egzistuese që lidhet me të drejtat pronësore për sfidat e mundshme, ky Udhëzim Administrativ është një masë afirmative për të shërbyer si një zgjidhje afat-gjate për mungesën e qasjes së grave në trashëgëmi. Veprimet e tilla afatshkurtra afirmative drejt avansimit të barazisë gjinore janë të parapara në Ligjin për Barazi Gjinore.
“Përdorimi dhe e drejta për pronësi mbetet një nga faktorët e rëndësishëm drejt fuqizimit ekonomik të grave,” deklaroi ABGJ në fillim të këtij eventi. “Posedim ose mos-posedimi i pronës drejtpërdrejtë ndikon në mundësinë e marrjes së kredive për të filluar [një] biznes që do të sillte punësim të qëndrueshëm dhe stabilitet ekonomik për gratë dhe vajzat. E drejta e pronës është e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i vendit, si dhe me ligjet në fuqi, si: Ligji për Barazi Gjinore, Ligji për Familjen, Ligji për Trashëgiminë, Ligji për Pronësinë dhe Ligjit kundër Diskriminimit”
Në të vërtetë Ligji për Barazi Gjinore parashikon mundësinë e marrjes së masave të veçanta, duke përfshirë edhe masat e përkohshme afirmative, drejt avansimit të të drejtave të grave.
Në këtë rast, Udhëzimi Administrativ do të shërbente si një masë e përkohshme për të stimuluar dhe për të ofruar mundësi për regjistrimin e pasurisë në emër të grave, si bashkë-pronare të patundshmërive.
"Ky është lloj i masës afirmative i paraparë nga Ligji për Barazi Gjinore, që RrGGK ka qenë duke pritur," tha Qosaj-Mustafa “RrGGK mbështet Udhëzimin Administrativ, i cili mund të kontribuojë për qasjen e grave në kredi dhe fuqizimin ekonomik të grave. Qasja e grave në pronë do të kontribuojë edhe në përshtatjen e grave më mirë në familje, familje më të pasura dhe të zhvilluara ekonomikisht".
Përderisa ABGJ ka paraparë që periudha kohore për këtë Udhëzim Administrativ të jetë tre muaj, RrGGK ka kërkuar që ajo të zgjasë së paku një vit në mënyrë që të jetë e zbatueshëm.
“Kjo masë duhet të shoqërohet me ngritje të vetëdijës për Udhëzimin dhe hapat e tjerë, të cilët marrin kohë,” tha Qosaj-Musafa.
RrGGK gjithashtu ka theksuar se Udhëzimi Administrativ duhet të heq tarifat për regjistrimin e pronës edhe për gratë e beqare (jo vetëm për çifte), pasi që edhe ato janë të përjashtuara nga mundësitë dhe nuk duhet të diskriminohen për shkak të statusit të tyre martesor.
ABGJ së shpejti do të iniciojë procesin e hartimit të Udhëzimit Administrativ dhe RrGGK shpreson të vazhdojë të jetë e përfshirë në këtë proces.
Folës të tjerë në diskutim ishin: Edona Hajrullahu, Kryeshefe Egzekutive e ABGJ-së; Leonora Selmani, Shefe e Divizionit për Legjislacion të ABGJ-së; Lirije Kajtazi, Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione; Murat Meha, Kryeshef i Kadastrit; dhe Sefedin Blakaj, Noter.