Aktivistët Avokojnë për Integrim të Përgjegjshëm Gjinor në BE në Bruksel

Javën e kaluar, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), i përfaqësuar nga Nicole Farnsworth, së bashku me anëtarët e RrGK-së, Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Shoqatën e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (SHGMDNJ), mori pjesë në Javën e Avokimit në BE, e cila organizohet çdo vit nga Fondacioni Kvinna till Kvinna në Bruksel. Delegacioni avokoi në solidaritet me aktivistë të tjerë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke zhvilluar diskutime të frytshme dhe domethënëse me përfaqësues të BE-së dhe partnerë të shoqërisë civile, përfshirë Komisionin Evropian, Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe Këshillin Evropian.

Delegacioni nga Kosova u takua me përfaqësues të Komisionit Evropian për të diskutuar Raportin 2024 për Kosovën. Ata sugjeruan si mund të përfshihej një perspektivë më e mirë gjinore në raport, bazuar në një Koment të përgatitur për këtë qëllim. U ngritën shqetësime mbi dështimet për të harmonizuar Ligjin për Zgjedhjet Lokale dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me Ligjin për Barazi Gjinore, për të siguruar përfaqësimin 50% të grave në kuvend në zgjedhjet e ardhshme; nevojën për punë të mëtejshme në adresimin e dhunës me bazë gjinore, përfshirë krimet kibernetike; dështimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar Kodin Civil për mbrojtjen e disa të drejtave themelore; tërheqjen nga Qeveria të ligjit të punës nga kalendari legjislativ, pavarësisht rëndësisë së tij për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës; nevojën për të mbrojtur shëndetin riprodhues të grave përmes disa ligjeve të ardhshme; dhe mundësitë për të integruar perspektivën gjinore në reformat që lidhen me digjitalizimin, bazuar në rekomandimet e bazuara në evidencë të RrGK-së, të mbështetura nga BE dhe Suedia. RrGK theksoi nevojën për më shumë transparencë lidhur me ndryshimet në ligjet e financave publike, për të siguruar që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor të institucionalizohet siç duhet përmes përfshirjes së tij në ligjet për financat publike dhe prokurimin, në përputhje me praktikat më të mira globale. RrGK ngriti gjithashtu shqetësime për përgjegjshmërinë gjinore të Planit të Rritjes dhe nevojën për të monitoruar cilësinë e zbatimit të tij.

Foto: Johanna de Tessieres

Gjatë takimit me EEAS, delegacioni diskutoi shqetësime mbi mungesën e progresit në dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfshirjen e pamjaftueshme të grave në këto dialogje, veçanërisht në nivel lokal. U diskutuan gjithashtu shqetësimet mbi fushatat dezinformuese.

RrGK u takua edhe me disa organizata të tjera për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në avokimin e planifikuar me Rrjetin Monitorues të Buxhetimit Gjinor, përfshirë Bashkimin Evropian të Grave, Miqtë e Evropës, Concord, ODI dhe UN Women, të mbështetura nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Suedia.