Gra aktiviste nga Kosova kërkojnë mbështetje nga BE-ja për Reforma drejt Paqes dhe Sigurisë

Gjatë Javës Vjetore të Avokimit në Bruksel 2025, aktivistet e të drejtave të grave nga Kosova dhe rajoni kërkuan që Bashkimi Evropian (BE) të mbështesë të drejtat dhe sigurinë e grave në vendet e tyre. Sot, ato i kërkuan Komisionit Evropian (KE) më shumë mbështetje politike dhe më shumë vëmendje për barazinë gjinore në Raportin e ardhshëm të KE-së për Kosovën, i cili është duke u përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësinë Lindore (DG ENEST).

Vetone Veliu nga Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (MWAHR) u përqendrua te situata politike dhe ajo e sigurisë në veriun e Kosovës, veçanërisht te mungesa e sigurisë për gratë në një klimë tensioni të shtuar politik. “Kur ndalet Dialogu, tensionet rriten”, tha ajo, duke iu referuar dialogut të ngrirë Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE-ja. Ajo theksoi se zërat e grave vazhdojnë të mungojnë në bisedimet për paqe mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e institucioneve të drejtuara nga serbët nga ana e Qeverisë së Kosovës, pa njoftim të mirëfilltë për banorët lokalë, ka krijuar vështirësi për njerëzit, veçanërisht për të moshuarit që kanë vështirësi të marrin pensionet dhe barnat e tyre, tha ajo.

Edhe hulumtimet nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kanë treguar se, për shkak të pabarazive ekonomike mes grave dhe burrave, gratë nga komunitetet pakicë përballen me më shumë pengesa për të pasur qasje në transport, dhe rrjedhimisht në pensione, shëndetësi dhe barna.

Dafina Prekazi Pallaska nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) shprehu shqetësimin për vonesat e vazhdueshme në formimin e Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit. Ajo theksoi nevojën urgjente për të ndryshuar ligjet zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme, për të siguruar përfaqësim të barabartë gjinor prej 50%, siç e përcakton Ligji për Barazi Gjinore. Ajo përmendi disa ligje që Qeveria ka vonuar t’i miratojë dhe që BE-ja duhet t’i inkurajojë t’i miratojnë me urgjencë dhe me përfshirje të publikut, si Ligji i Punës dhe Kodi Civil. Ajo nënvizoi se Qeveria duhet të dëgjojë grupet e grave kur bën ligje të reja dhe të jetë më transparente.

Nicole Farnsworth, Zëvendësdrejtore & Udhëheqëse e Hulumtimeve në RrGK, foli për nevojën për të mbrojtur gratë nga dhuna. Ndërsa vlerësoi përparimin e Qeverisë në reformat ligjore përkatëse, ajo theksoi se KE-ja duhet të përqendrohet në zbatimin e tyre si çështje të sundimit të ligjit. Ajo kërkoi që BE-ja t’i bëjë thirrje Qeverisë për të ndryshuar Kodin Penal, në mënyrë që të përfshijë dispozita më të qarta për dhunën me bazë gjinore në internet, të krijojë Qendrën për Viktimat e Përdhunimit, të krijojë protokolle të qarta për institucionet përkatëse sipas kornizës së re ligjore dhe të institucionalizojë trajnime për to, të përmirësojë punën e mekanizmave komunalë të koordinimit dhe të buxhetojë siç duhet për shërbimet sociale, sipas kornizës ekzistuese ligjore.

Aktivistet ngritën gjithashtu shqetësime për masat e vazhdueshme të BE-së kundër Kosovës.

“I bëjmë thirrje BE-së që të vazhdojë dialogun”, thanë ato, duke shpjeguar se ndërprerja e dialogut politik ka dëmtuar përparimin drejt anëtarësimit në BE. Konkretisht, kjo ka bërë që shoqëria civile, përfshirë grupet e grave, të humbasin mundësinë për të dialoguar me BE-në dhe Qeverinë përmes takimeve të Komitetit dhe Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA). Kjo e pengon shoqërinë civile të monitorojë dhe të ushtrojë presion për përparim në reforma, duke dëmtuar diskutimin demokratik dhe gjithëpërfshirës për reformat. Gjithashtu, lë hapësirë për përhapjen e narrativave kundër anëtarësimit në BE, pasi qytetarët kanë më pak mundësi të shohin përparimin dhe ndikimin e tij në jetën e tyre, siç ndodhte gjatë dialogëve të mëparshëm.

“Zgjidhja është dialogu dhe jo ndërprerja e tij”, theksuan ato. Aktivistet paralajmëruan se pa vazhdimin e dialogut politik, ekziston rreziku që të forcohen narrativat kundër anëtarësimit në BE, madje edhe të ketë përplasje. Ato i bënë thirrje BE-së që urgjentisht ta rikthejë dialogun politik me Kosovën, duke i përfshirë edhe organizatat e ndryshme të shoqërisë civile.

Kjo vizitë avokuese u mundësua me mbështetjen e Fondacionit Kvinna till Kvinna, të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida). RrGK ka marrë pjesë në këtë avokim që nga viti 2010, MWAHR që nga viti 2012 dhe KGSC po ashtu që nga viti 2012.

Siç theksuan Nicole, Vetone dhe Dafina në Bruksel, përparimi drejt anëtarësimit në BE mund të ndodhë vetëm me përfshirjen e plotë të grave të ndryshme.

Për më shumë informacione mbi çështjet që po ngritën këtë javë në Bruksel, shihni përmbledhjen e tyre këtu:

https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2025/05/FINAL_DG-ENEST-Kosovo-input-2025-1.pdf